Sharr - Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe udhëheqësit komunal të Sharrit, në një ceremoni rasti, të martën përuruan Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve, e cila është një shërbimi i rikthyer, që kur u ndërpre gjatë luftës së fundit në vendin tonë. Halil Bllaca, sekretar permanent pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme tha se, me hapjen e kësaj qendre, qytetarëve të kësaj komune do t’u krijohet një lehtësi e madhe “Atyre u janë krijuar lehtësira në procedurën e regjistrimit të automjeteve, për të cilën gjë deri më tani kanë qenë të detyruar të udhëtojnë në Prizren, duke krijuar harxhime shtesë”, tha Bllaca, duke shtuar se buxheti komunal nuk do të përfitoj asnjë metelik nga taksa e rrugëve “Kuvendi komunal ka të drejtën që të aplikoj taksë shtesë për nevojat e veta. Taksa prej dyzet euro mbetet në buxhetin qendror”, tha Bllaca.
Kryetari i KK-së, Halim Shemsidini, pasi ka falënderuar përfaqësuesit e ministrisë, deklaroi se hapja e kësaj qendre, ka dobi të madhe në çdo aspekt “Jo vetëm që qytetarëve u është ofruar ky shërbim më afër, por ka krijuar edhe vende pune. Qytetarët e Opojës dhe Gorës, deri më tani kanë qenë të detyruar të udhëtojnë mbi njëqind kilometra, për t’i kryer këto shërbime”, tha Shemsidini.Sekretari i PDK-së në Sharr, Avni Nebiu, i tha "Pasqyrës së Sharrit" se me hapjen e kësaj qendre, Shemsidini nuk ka bërë ndonjë punë të madhe, pos se vetëm e ka forcuar biznesin e tij privat "Me hapjen e kësaj qendre, Shemsidini ka arritur ta kompletoj biznesin e tij privat, që e ka filluar gjatë mandatit të vet si kryetar. Kur kihet parasysh se ai ka hapur Qendrën për Kontrollin Teknik të Automjeteve në pronësi private dhe, menjëherë pas saj, edhe aplikimin e taksës komunale prej dhjetë eurosh, atëherë është e qartë se cili ka qenë qëllimi dhe kush përfiton më shumë nga kjo”, tha Nebiu.
Zyrtarët e kësaj qendre, pohuan se nga e mërkura qytetarët e komunës së Sharrit, mund t’i drejtohen këtyre zyrave, por se janë të obliguar që të paguajnë taksat e parapara me ligj. /b. beqaj