Fëmijët bonjakë nga Sharri e Malisheva përfunduan kampingun humanitar


Sharr, 07 gusht 2007 - Kryqi i Kuq nga Sharri, i përkrahur edhe nga TMK-ja dhe ushtarët gjerman të CIMIC-ut, përfunduan të dielën kampingun në bjeshkët e Brodit të Gorës së Sharrit, që kanë organizuar për fëmijët bonjakë.Sekretari i Kryqit të Kuq në Sharr, Jeton Ramadani, tha se këtë aksion humanitar e kanë shndërruar në traditë dhe se kanë pretendime ta zgjerojnë në nivel rajoni “Për dallim nga vitet e kaluara, kur kemi dërguar vetëm fëmijë nga komuna jonë, këtë vit kishim edhe bonjakët nga Malisheva. Shpresojmë që vitet e ardhshme t’i përfshijmë të gjitha komunat e rajonit të Prizrenit”, tha Ramadani. Ndërkaq, oficeri për mardhënje me media nga Zona e Dytë Mbrojtëse e TMK-së në Prizren, kapiteni Besim Krasniqi, tha se ushtarët e tyre gjithnjë e kanë përkrahur këtë aksion dhe se do ta bëjnë këtë edhe në të ardhmën ”Ne mbështetëm këtë aksion, në ngritjen e Kampit për fëmijët e dëshmorëve, bonjakët dhe fëmijë të tjerë nga familjet e varfra, sepse është një veprim i qëlluar që ka ndërmarrë Kryqi i Kuq nga Sharri. Gjatë gjithë kohës, ushtarakët tanë nga Brigada 324 ‘Sali Saramati’, kanë qëndruar me fëmijët, duke i stërvitur ata për gjeturinë në natyrë. Krejt këto stërvitje i kemi bërë përmes lojërave dhe argëtimit”, tha Krasniqi.Fëmijët në kamp i kanë vizituar edhe krerët e Brigadës Shumëkombëshe të KFOR-it nga Prizreni dhe ata nga Zona e Dytë Mbrojtëse e TMK-së. Komandanti i kësaj zone, kolonel Enver Cikaqi, pasi është njohur me ndjenjat e fëmijëve në këtë kamping, është shprehur se këtë aksion ia vlen ta përkrahë çdo institucion “Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq në Sharr meritojnë lëvdata për organizimin e këtij kampi, të cilin duhet ta përkrahin të gjithë. Ju siguroj se Zona e Dytë Mbrojtëse do të mbështesë projekte të tilla edhe në të ardhmen, me qëllim që të jetë sa më afër qytetareve nga të gjitha shtresat”, tha Cikaqi.Sekretari i Kryqit të Kuq Komunal, Jeton Ramadani, është ankuar se pushtetarët komunalë nuk e kanë mbështetur këtë aksion. Ai tha se komuna nuk ia ka lejuar autobusin e tyre që të bëjnë transportin e fëmijëve “Pushtetarët komunalë nuk na kanë lejuar autobusin e tyre që t’i bartim këta fëmijë, gjë që për ne ishte veprim i papritur. Në çastin e fundit kemi kërkuar ndihmën e ushtarëve turq të KFOR-it që të na bëjnë transportin, gjë që pa asnjë kundërshtim ata na kryen këtë shërbim”, tha Ramadani.Drejtori komunal për Administratë të Përgjithshme dhe Pushtet Lokal, Hilmi Dauti, tha se në zyrën e tij nuk ka pranuar asnjë kërkesë për autobusin e KK-së “Ai nuk ka kërkuar nga ne autobusin, por me një shkresë i është drejtuar Qeverisë lokale, ku ka kërkuar mjete financiare në vlerë prej 350 eurosh, për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimit. Pasi e ka shqyrtuar qeveria kërkesën e tij, në mungesë mjetesh, i është përgjigjur negativisht”, tha Dauti.Megjithatë, Ramadani ia ka dhënë “Pasqyrës së Sharrit” në shikim shkresën, ku qartë shihet se, përpos shumës së cekur nga drejtori Dauti, ai ka kërkuar edhe transportin e fëmijëve. /b. beqaj