Nga të shtënat në aheng plagosen dy fëmijë


Kapre - Dy fëmijë janë plagosur rëndë në fshatin Kapre të Opojës së Sharrit, të hënën rreth mesditës. Incidenti ka ndodhur gjatë një ahengu familjarë në këtë fshat, kur një qytetar ka shkrepur disa plumba në ajër nga pistoleta, e cila më pas i bllokohet. Në tentim për ta zhbllokuar pistoletën, ai e tërheq këmbëzën dhe plumbi godet dy fëmijë.
Policia Rajonale në Prizren e ka konfirmuar lajmin, ndërkohë që përmes një komunikate ka njoftuar se autori i kësaj plagosjeje është arrestuar “Gjatë shkrepjes, pistoleta është bllokuar dhe një plumb ka mbetur në tytë. Në tentim për ta zhbllokuar, i dyshuari aksidentalisht ka tërhequr këmbëzën e pistoletës, me ç’rast një plumb ka plagosur dy fëmijë, njëri 7 dhe tjetri 9 vjeç. Të plagosurit janë sjellë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor dhe gjendja shëndetësore e tyre mësohet të jetë e rëndë. Arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra është sekuestruar nga policia, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim”, thuhet në komunikatën e policisë.
Burimet e gazetës nga spitali mësojnë se dy vogëlushët i kanë përballuar operacionit, por gjendja e tyre edhe më tej mbetet e rëndë. Sipas mjekëve, pas operacionit, këta vogëlushë nga fshati Kapre, pritet që të marrin veten. /b. beqaj