Sharr, 08 gusht 2007 - Pakkush e kishte marrë seriozisht iniciativën që plasoi në përvjetorin e Betejës së Kosovës, në qershor të këtij viti, anëtari i Ekipit Negociator serb për bisedimet rreth statusit të Kosovës, Marko Jakshiq, se nga kjo ditë do të nisë mbledhja e peticioneve për ta parandaluar pavarësimin e Kosovës. Jakshiqi, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga partia e kryeministrit serb, Vojislav Koshtunica, kishte paralajmëruar se peticionin do ta nënshkruanin edhe disa mijëra banorë të Gorës së Sharrit, dhe se kjo shifër do të kalojë mbi dhjetë mijë.
Megjithëse shifrat janë shumë të fryra për qëllime marketingu, ka informacione se iniciativës së tij vërtet i është përgjigjur një numër i konsiderueshëm i goranëve në komunën e Sharrit, kryesisht punonjës në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, të cilët marrin paga edhe nga Beogradi. Nënkryetari i Kuvendit Komunal në Sharr, nga radhët e goranëve, Sabedin Çufta, tha se ka dëgjuar për këtë aksion, të cilin e quan keqdashës. "Kushdo që e ka organizuar në trevën tonë, duhet ta dijë se është veprim vetëvrasës, sepse ne jemi komunitet i vogël dhe pa ndikim në këtë çështje madhore. Ne angazhohemi që popullatën tonë ta orientojmë në binarët e bashkëjetesës me popullin shumicë, sepse fati i tij do të na përcjellë edhe ne të vegjlit. Çfarëdo që të bëhet për shqiptarët, do të bëhet edhe për ne", thotë Çufta, duke shprehur frikën se një aksion i tillë do të sjellë përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy komuniteteve në komunë e që për pasojë do të ketë shpërnguljen e kësaj popullate të vogël gorane. "Nëse statusi i Kosovës do të ishte i kënaqshëm vetëm për goranët dhe jo për shumicën, atëherë ne nuk do të kemi vend këtu", thotë nënkryetari i KK-së, Çufta, i cili po këtë pozitë e ka edhe në partinë "Vatan" të ministrit të Shëndetësisë, Sadik Idrizi.
Drejtori i Zyrës së komuniteteve në Sharr, Mehmed Hamza, tërë fajin ia hedh partisë rivale të "Vatanit", e cila, sipas tij, i mbron interesat serbe. "Krejt këtë marifet e bën GIG-u, i cili gjithnjë e orienton komunitetin tonë kah Serbia. Ne nga kjo zyrë i ndihmojmë popullatës sonë që të ketë jetë më të mirë, por gjithnjë duke e respektuar legjislacionin e vendit ku jetojmë. Për institucionin tonë, këto veprime janë paralele", tha Hamza. Por, në zyrën e Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG) e mohojnë se kjo parti ka lidhje me peticionin. Nënkryetari Deir Jilmazi tha se komuniteti nga Gora është "peshk i vogël" që të merret me gjëra të mëdha. "Ne jemi të vetëdijshëm se krejt ky pluhur është ngritur nga shqiptarët dhe serbët dhe se bashkësia ndërkombëtare po merret vetëm me këta dy popuj. Si dëshmi kemi edhe pakon e Ahtisaarit, ku asnjë pasus nuk u është kushtuar komuniteteve të vogla, pos komunitetit serb. Prandaj, ne si parti angazhohemi për mirëqenien e komunitetit tonë dhe jo për çështje të statusit", tha Jilmazi. Ai pranon se një numër goranësh e ka nënshkruar peticionin kundër pavarësisë së Kosovës, por i quan tepër të fryra shifrat prej 10 mijë nënshkrimesh që i kanë dhënë disa media serbe, duke u mbështetur në të dhënat e ofruara nga e ashtuquajtura Qendër Koordinuese Serbe për Kosovën.
Kreu i PDK-së në Sharr, Salim Jonuzi, nuk beson se kjo iniciativë e gorano-boshnjakëve mund të ndikojë ndopak në statusin e Kosovës, për të cilin është i bindur se do të rezultojë me pavarësi. "Ne jemi të bindur se do ta kemi më në fund pavarësinë, por veprimi i gorano-boshnjakëve tregon se deri në ç'masë angazhohen krerët e këtij komuniteti për t'i mbrojtur interesat e Serbisë edhe aty ku nuk ka serbë fare", tha ai. Jonuzi e fajësoi edhe pushtetin lokal që nuk po angazhohet sa duhet për ta informuar këtë popullatë për ngjarjet reale. "Pushtetarët komunalë më shumë duhet të merren me këtë popullatë. Duhet t'i informojnë ata se pavarësia e Kosovës nuk është kiamet për ta, por se do t'i kenë të drejtat e tyre në nivelin më të lartë të demokracisë. Këto janë rezultatet e tolerancës së tepërt që u kanë bërë goranëve, sidomos në fushën e arsimit, ku edhe më tej mësohet me plan-programe të Serbisë", shprehet Jonuzi.
Mediat serbe trumbetojnë se mbi dhjetë mijë goranë, tashmë kanë nënshkruar peticionin kundër pavarësisë së Kosovës. Sipas këtyre mediave, deri në vitin 1999 në Gorë kanë jetuar mbi 24 mijë banorë, ndërkohë që pas luftës kanë mbetur afro shtatë mijë.
Nga ana tjetër, këto ditë vere Gora është stërmbushur me njerëz, të cilët nga kurbeti kanë ardhur në vendlindje për pushime, e që e shfrytëzojnë edhe për ceremoni familjare.
Pothuajse çdo mbrëmje Sharri gumëzhin deri në orët e hershme të mëngjesit nga muzika serbe LIVE, por deri më tash nuk është shënuar asnjë ekses. /b. beqaj