Sharr, 25 gusht 2007 - Kreu i arsimit kosovar, Agim Veliu, ka paralajmëruar të enjten gjatë një vizite në Komunën e Sharrit se i ka ardhur fundi tolerancës së institucioneve kosovare për mësimdhënësit goranë, të cilët ende punojnë me plan-programet arsimore të Serbisë. Veliu i ka mbledhur të gjithë drejtorët e shkollave të kësaj komune, në sallën e KK-së, për t'ua transmetuar vendosmërinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë se në vitin e ri shkollor nuk do të tolerohet paralelizmi nëpër shkollat e kësaj komune.

Kreu i Komunës, Halim Shemsidini, ka pranuar se institucionet kanë bërë shumë lëshime, për hir të procesit të statusit të vendit dhe paqes në këtë komunë. "Kemi toleruar së tepërmi, vetëm që mos t'i ngremë tensionet në fazën e procesit të statusit. Kemi toleruar mësimdhënës që të veprojnë edhe pa kontrata të punës, se lëre më të kërkojmë proces mësimor sipas plan-programeve tona. Mirëpo, ata e kanë shfrytëzuar tolerancën tonë dhe janë shndërruar në pykën e Serbisë për të na çarë ne këtu që kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme ndërnacionale", tha Shemsidini.
Ministri i Shëndetësisë, Sadik Idrizi, i cili ka arritur që ta normalizojë gjendjen në shkollën e fshatit të tij, Krushevë, tha se u ka ardhur fundi manovrave politike të Serbisë përmes arsimit të nxënësve nga Gora. "Kjo çështje ka arritur deri në bisedimet e Vjenës, ku unë kam arritur ta paraqes gjendjen reale, duke iu kundërvënë delegacionit serb. E kuptojmë se pagat e Serbisë janë tri herë më të larta se pagat tona, por nuk është mirë që këto interesa të disa mësimdhënësve të shkaktojnë konflikt me legjislacionin. Kemi toleruar mjaft, duke shpresuar se Pakoja e Ahtisaarit do të kalojë. Kjo nuk ndodhi, andaj duhet t'i kthehemi ligjit", tha Idrizi, duke kërkuar nga OSBE-ja që të jetë më konstruktive në zgjidhjen e këtij problemi.
Kryetari i Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG), Mursel Halili, i revoltuar nga fjalimi i ministrit Idrizi, ka kërkuar që të hapen fakultete në gjuhët e "sllavëve të jugut", para se të kërkohet që goranët të mësojnë me plan-programin kosovar. "Ne jemi ata që e përfaqësojmë minoritetin goran, prandaj merrni parasysh kërkesat tona. Na kuptoni se fëmijët tanë pasi mbarojnë arsimin parauniversitar duhet t'i ruajnë lopët, sepse nuk mund të shkollohen më tej në Kosovë, ndërkohë që dëftesat kosovare nuk na i pranojnë askund në rajon", tha Halili, duke kërkuar që të lejohet vijimi i mësimit për goranët me plan-programet e Serbisë.
I revoltuar nga kjo kërkesë e Halilit, drejtori i shkollës fillore "5 Tetori" nga fshati i ministrit Idrizi, Krushevë, Nasuf Brenolli, tha se problemi është thelluar që kur Serbia kërkoi nga mësimdhënësit goranë që të heqin dorë nga listat e pagave të Kosovës. "Ne u detyruam të shpallim konkurs, por që askush nga këta mësimdhënës nuk u lajmërua. Prandaj nuk kam lejuar që ata të futen në shkollën time. E largova edhe vëllanë tim, i cili nuk kishte konkurruar. Nuk bën që të keqpërdoren nxënësit për interesa të një grupi arsimtarësh, të cilët po paguhen shumëfish më tepër nga Serbia, vetëm që ta mbajnë këtë gjendje", tha Brenolli.
Nënkryetari komunal nga Gora, Sabedin Çufta, u tërhoqi vërejtjen mësimdhënësve të rebeluar, të cilët po përkrahen nga GIG-u, se nuk do të lejohet loja me fëmijët, për interesa personale të tyre. "Shkollat nuk ekzistojnë për mësimdhënësit, por për fëmijët. Pse u konvenon një grupi mësimdhënësish, unë nuk do të lejoj asnjë veprim jashtë konturave ligjore kosovare", tha Çufta, sipas të cilit kjo po e nxit edhe më shumë shpërnguljen e popullatës nga Gora.
Ministri Veliu, pasi i ka dëgjuar të gjitha diskutimet, ka thënë prerazi se këtë vit shkollor ligji do të zbatohet me përpikëri. "Këtë vit, urdhëroj që të shpallet konkursi për pranimin e kuadrove profesionale, të pranohen mësimdhënësit që janë adekuatë për lëmenjtë e caktuar dhe të fillojë mësimi me ligjet në fuqi. Nuk ka më asnjë tolerancë në këtë aspekt, sepse çdo tolerancë po na kthehet bumerang", tha Veliu. Ai e ka porositur drejtorin e Arsimit në Sharr që të përgatitet për fillimin e vitit të ri shkollor, sipas ligjeve kosovare në fuqi. /b. beqaj