Varfëria dhe luksi të ndihet njësoj si tek qytetarët ashtu edhe tek pushtetarët


Prizren - Pas përfundimit të anketave që ka bërë me qytetarë, përmes organizatës gjakovare "Forumi për Iniciativë Demokratike", OSBE-ja të mërkurën në Prizren ka mbledhur kryesuesit e Grupeve të Fokusit nga të gjitha komunat e rajonit të Prizrenit, për të parë rezultatet e projektit "Urat e Miqësisë", përmes së cilit ka identifikuar problemet nëpër fshatra, për t'ia plasuar më pastaj pushteteve komunale.
Menaxherja e këtij projekti nga OSBE-ja, Juliana Hertweck, tha se ky projekt ka lehtësuar relacionin e komunikimit midis popullatës dhe zyrtarëve komunalë. Sipas saj, pushtetarët duhet më shumë të komunikojnë me popullatën, sepse ata më së miri i dinë hallet e tyre "Zyrtarët komunalë duhet të kontaktojnë më tepër me komunitetin, sepse aty do të mësojnë brengat dhe hallet e tyre. Ndonëse limitet buxhetore nuk lejojnë investime megalomane, gjatë komunikimit mund të gjendet bashkërisht me komunitetin një zgjidhje për secilin problem", tha Hertweck.
Të pranishëm ishin përfaqësuesit e Grupeve të Fokusit nga Prizreni, Sharri, Theranda, Rahaveci, Gjakova dhe Mamusha, si dhe zyrtarë komunalë nga këto komuna.
Përderisa OSBE-ja ka marrë në këtë takim lëvdata nga të gjithë të pranishmit, pushtetet lokale janë kritikuar për ngurtësi në komunikim me popullatën dhe kryelartësinë që po e tregojnë me komoditetin e të qenit në pushtet "Varfëria dhe luksi duhet të ndahen bashkërisht midis pushtetit dhe qytetarëve. Nuk është e drejtë që popullata është zhytur në varfëri të skajshme, ndërkohë që pushtetarët po çmenden nga luksi i tepruar dhe komoditeti që ia kanë krijuar vetes", u tha të pranishmëve kryesuesi i Grupit të Fokusit nga Bellobradi i Opojës së Sharrit.
Ndërkaq, përfaqësuesit nga Rahaveci u shprehen se pushteti i ka harruar krejtësisht disa fshatra të kësaj komune "Në fshati tonë asnjë zyrtarë nuk e ka qit këmbën për të parë se sa shumë po shteret ky vendbanim, pikërisht nga presioni i fukarallëkut. Ndryshe, po të investohet sadopak në infrastrukturë, fshati jonë është mjaftë i bukur dhe piktoresk", tha Avdi Mustafa nga fshati Potoçan i Ulët i Rahovecit, i cili falënderoi OSBE-në që sadopak i ka bërë transparente hallet e tyre.
Rreth 70 pjesëmarrës janë ndarë në dy Grupe punuese, ku për një orë rresht kanë debatuar për të gjetur rrugën dhe format e presionit ndaj pushtetarëve, në mënyrë që të sensibilizohen organet vendimmarrëse për zbutjen e halleve të banorëve nga zonat rurale.
Propozimi i përfaqësuesve nga Sharri që pushtetarët t'i afrohen qytetarit dhe jo të presin qytetarët për t'iu afruar atyre, është përkrahur edhe nga OSBE-ja "Nëse pushtetarët po e shohin që debatet e obligueshme me qytetarë po ju dështojnë për mungesë të qytetarëve, atëherë ata duhet ta aplikojnë formën tjetër. Të shkojnë vetë tek qytetari dhe të bisedojnë me të", ka thënë përfaqësuesi i Grupit të Fokusit nga Bellobradi i Sharrit.
Ndonëse zyrtarët komunalë janë munduar ta arsyetojnë veten me "buxhetet e vogla" komunale, luksi i tepruar i tyre në pushtet ua ka mohuar një gjë të tillë. Kreu i Ekzekutivit nga pilot komuna e Mamushës ka thënë se ata duhet të kenë luks, për hir të imixhit që kanë si pushtetarë.
Në fund, menaxherja e këtij projekti të mbështetur nga OSBE-ja, Juliana Hertweck, tha se nga qytetarët ka marrë kërkesa që ky projekt të vazhdoj edhe në të ardhmen, sepse, megjithatë, ai i ka lëvizur gjërat "Sido që të jetë, qytetarët na kërkojnë që kjo punë të vazhdojë edhe në të ardhmen", tha Hertweck. /b. beqaj