Cili është opsioni më i keq se tjetri për statusin e Kosovës ?


Shkruan: Milazim KRASNIQI









Shtyrja e radhës e statusit të Kosovës, e paketuar si bartje në Grupin e Kontaktit nga Këshilli i Sigurimit, është më e rënda deri tash dhe pa asnjë dyshim edhe më e rrezikshmja për të ardhmen e saj. Pas kësaj shtyrjeje, plani i Marti Ahtisarit, është klinikisht i vdekur, që do të thotë se çdo zgjidhje e cila do të mund të merr edhe miratimin e Rusisë, do të jetë nën planin e Ahtisarit. Ndërsa nën atë plan, zor se mund të paketohet ndonjë zgjidhje që do të mund të emërtohet si pavarësi.
Prandaj, për Kosovën nuk ka zgjidhje ideale e as të mirë, por ne duhet të mësohemi e të aftësohemi që të jetojmë në këtë realitet dhe të punojmë për ndryshimin e tij, e jo të bëjmë sehir dhe të presim poshtërimin e radhës.

Fitoret taktike të nacionalizmit rusomadh e serbomadh

Tash për tash të qarta janë vetëm pasojat konkrete që ka prodhuar kjo shtyrje e radhës. E para , kjo shtyrje paraqet një fitore taktike të nacionalizmit rus në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi. Nëse kjo do të ndihmon që nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen pas disa muajve, në Kremlin të sillet një njeri i besueshëm i Putinit, kjo do të ketë pasoja largvajtëse për mbarë Evropën dhe për rendin botëror. Përdorimi me sukses i Kosovës si kartë në duart e nacionalizmit rusomadh, ka zbuluar dobësinë tragjike të Perëndimit dhe të vetë shqiptarëve, që nuk kanë arritur të kundërtën, pra, dekurajimin e nacionalizmit rusomadh me anën e një vendimi të qartë për pavarësinë e Kosovës, i cili do ta shpërfaqte Putinin në sytë e rusëve si të dobët dhe të paaftë që të ballafaqohet me Perëndimin. Por, ka ndodhur bash e kundërta, Perëndimi dhe shqiptarët me të, kanë treguar dobësi në raport me nacionalizmin rusomadh, gjë që në të ardhmen mund të rrezikojë edhe përfundimisht të ardhmen e Kosovës.
E dyta, shtyrja ka sjellë një fitore të re taktike të nacionalizmit serbomadh dhe konsolidim të mëtejshëm të pozitës së Serbisë në raport me Kosovën. Miratimi i një rezolute të re për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, shënon edhe një fazë të re të përpjekjeve të Serbisë për ta minuar pavarësinë e Kosovës. Kërcënimi që u shqiptua ndaj shteteve që mund ta njohin pavarësinë e Kosovës, në këtë kontekst, është shenjë e guximit të fituar e jo e dobësisë.
E treta, dobësimi i mëtejshëm i autoritetit të lidershipit të Kosovës të cilin nuk do ta ndihmojë as infuzioni i dhënë nga fotografia ose më saktë nga karikatura me sekretaren amerikane të shtetit, do të mund të prodhojë fragmentim të mëtejshëm politik dhe paaftësi për të mbajtur situatën nën kontroll. Vetë fakti që në atë fotografi pozonin tetë persona, me mandate të ndryshme institucionale, por të barabartë para sekretares Rajs, tregon se ata më shumë dukeshin si përfaqësues fisesh afrikane, se sa të një vendi që ka një rend demokratik. Qetësia e tashme në vend është rezultat i vetëpërmbajtjes së qytetarëve, e aspak rezultat i këtij lidershipi të mësuar të bëjë poza qesharake, i cili është i dërrmuar nga joserioziteti, nga jokompetenca, nga demagogjia dhe nga korrupsioni. Por, tejzgjatja e shtyrjeve, mund të sjellë humbjen e durimit dhe të vetëkontrollit të qytetarëve e në atë rast kriza mund të shpërthejë dhe të shndërrohet në argument shtesë kundër pavarësisë së Kosovës.
E katërta, vazhdimi i negociatave të drejtuara nga Perëndimi i lodhur dhe nga Rusia e përtërirë nga dobësia e Perëndimit, ka rrezik që të sjellë lëshime të reja edhe më të rënda në dëm të Kosovës. Rrjedhimisht, tash ekziston rreziku edhe i rikthimit te disa opsione të vjetra, të cilat mund të bëhen atraktive në rrethanat e reja, kur Rusia i dikton rregullat e lojës.

Opsionet e Serbisë

Opsioni i fuqizuar edhe me rezolutën më të re të Kuvendit të Serbisë dhe me kokëfortësinë ruse, e cila e mbështet Serbinë pa kushte, është ai i mbetjes së Kosovës, të lidhur me Serbinë. Por, emërtimi i kësaj oferte si “autonomi substanciale” ose “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, nuk arrin të fshehë rrezikun që do të paraqiste për konflikte të reja serbo-shqiptare dhe për krizën në rajon.
E para, çfarëdo mbetje e Kosovës në ndonjë lidhje me Serbinë, pavarësisht si do të paketohej e si do të arsyetohej nga liderët e Kosovës dhe nga partnerët e tyre, do të prodhonte konflikte të armatosura të intensitetit të ulët, diktaturë ose qeveri lufte në Serbi, bllokim i procesit të integrimit në BE dhe në NATO, ngrirje e investimeve të huaja, izolim ndërkombëtar i rajonit, veçmas i Kosovës (një version i Çeçenisë), varfëri e mëtejshme në Kosovë dhe në Serbi, ikje e rinisë dhe e intelektualëve, bartja e aksioneve diversante edhe brenda Serbisë, së paku në jugun e Serbisë.
Pra, të gjithë ata që e kërkojnë këtë opsion, janë vazhdues të politikës nacionaliste dhe luftëbërëse të Milosheviqit dhe ithtarë të mbajtjes së Ballkanit në gjendje lufte. Edhe ky opsion dukej krejtësisht i kompromentuar dhe u gjykua nga Plani i Ahtisarit, me eliminimin e atij plani, sërish është në lojë. Për Serbinë do të mjaftonin vetëm disa vegëza, që ta mbajnë Kosovën në kuadër të tërësisë shtetërore të Serbisë, me çka do t’u jepej goditje fatale shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, por edhe rolit të SHBA-ve në rajon. Në këtë pikë, Serbia nuk është edhe pa ndihmën, sado të fshehtë, të disa shteteve të vetë Bashkimit Evropian.
Opsioni rezervë i Serbisë, ndarja e Kosovës, nga ana tjetër paraqet rrezik potencial, për disa arsye të tjera. Ndarja që do të imponohej nga një proces i tejzgjatur negociatash, të udhëhequra nga Grupi i Kontaktit, do të mund të interpretohej si alibi për elitat politike në Prishtinë dhe në Beograd, që të lajnë duart dhe të thonë se e kanë fituar maksimumin. Por, pothuajse me automatizëm, ndarja e Kosovës do të thoshte rrezik për Maqedoninë dhe për Bosnjë e Hercegovinën, do të provokonte shpërngulje të popullsisë në të dyja drejtimet, incidente të vazhdueshme kufitare, ndoshta edhe rifillim të luftimeve. Rritja e prezencës së NATO-s, do ta shndërronte Kosovën në një llogor ushtarak, ku jeta e qytetarëve do të bëhej e pamundshme. Në planin evropian, ndarja do të provokonte polemika dhe krizë në Bashkimin Evropian, për çka është e interesuar shumë Rusia, gjë që do të thotë se ajo edhe mund ta përkrahë në një moment edhe këtë opsion.

Ngrirja e procesit në favor të Bashkimit Evropian

Shtyrja e tashme në të vërtetë e ka brenda vetes edhe komponentin e ngrirjes së krizës. Fakti që Grupi i Kontaktit në takimin e 25 korrikut në Vjenë nuk arriti të pajtohet as për agjendën dhe në fakt për asgjë, jep indikacionin se ngrirja e procesit mund të shndërrohet në një opsion real. Ngrirja do t’i konvenonte më së shumti Bashkimit Evropian, i cili nuk është i aftë të formulojë një politikë unike për Kosovën. Në rast të ngrirjes së procesit, Bashkimi Evropian do të arsyetohej me formulën “as pavarësi, as në Serbi”, duke e sajuar një status kuazi special për Kosovën. Krahas transferimit të kompetencave të UNMIK-ut te Bashkimi Evropian, do të synohej të fillohej një proces integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian, me qëllim që të zbuten kundërthëniet. Por, ky opsion është tërësisht i papranueshëm për popullin shqiptar të Kosovës, të cilit tashmë i është premtuar pavarësia nga administrata e Shteteve të Bashkuara.
Opsioni rezervë i shqiptarëve, i cili në këto vite është degraduar jashtë mase, por që mund të rikthehet, nëse ata tradhtohen përfundimisht, është ai i bashkimit kombëtar. Edhe në kontekstin e zhvillimeve kaq negative për Kosovën, ky opsion po bëhet gjithnjë e më shumë legjitim dhe potencial. Por, ai është i dëmtuar shumë nga vetë elitat politike shqiptare të tredhura, të cilat nuk janë të interesuara për bashkim, po për feudet e veta. Edhe mungesa e integrimit të kombit shqiptar për shkak të ndarjes së gjatë, paraqet pengesë serioze për projektin eventual të bashkimit kombëtar. Nga ana tjetër, kundërshtimi i fortë i komunitetit ndërkombëtar (për shkak të Maqedonisë, por edhe të mosbesimit ndaj shqiptarëve), do ta konfrontonte kombin shqiptar me tërë komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat qartë janë në favor të shteteve multietnike jo të krijimit të shteteve të reja etnike në Ballkan.

Kthimi i Kosovës te vetvetja

Kosova urgjentisht duhet t’i kthehet vetvetes e të mos i kullotë sytë në metropolet e dynjasë. Fillimisht, mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë, por me theks te qeveria që i duhet Kosovës e jo te statusi, është hapi i parë i logjikshëm dhe i vetmi i ndershëm në këtë situatë, kur institucionet kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve dhe të premtimeve.
Pastaj zgjedhja e një qeverie me bazë të gjerë dhe me personalitete që kanë integritet moral dhe kombëtar, do të mund të përmirësonte diçka në imazhin e dëmtuar të përfaqësimit të Kosovës. Rasti në Francë ku presidenti Nikolas Sarkozi mori gjashtë socialistë në qeverinë e djathtë, duhet të përdoret si model. Poashtu duhet të bëhet e ditur se ndryshimi i vlerave të shoqërisë së sotme shqiptare të Kosovës, është i domosdoshëm. Eliminimi i kulturës së korrupsionit, përmirësimi substancial i sistemit të arsimit, pavarësia e medieve, ngritja morale me anën e besimit fetar, toleranca më e madhe ndëretnike, janë disa nga vlerat që duhet të aktivizohen urgjentisht në shoqërinë e Kosovës, e cila sot është e dërrmuar nga letargjia. Ndërsa, pa aktivizimin e këtyre vlerave, nuk mund të jepen prova t’pjekurisë së kësaj shoqërie, për të qenë plotësisht e pavarur dhe faktor i stabilitetit në rajon.
Përfundimisht, është e qartë se zgjidhja gjeopolitike nuk është në duart tona, por në duart e të huajve, ndërsa zgjidhja e problemeve të shoqërisë është në duart e qytetarëve të Kosovës. Por, nëse ato probleme zgjidhen dhe Kosova aftësohet për qeverisje të plotë, kjo pashmangshëm e ndryshon edhe qasjen gjeopolitike.
Shkurt, për Kosovën nuk ka zgjidhje ideale e as të mirë, por ne duhet të mësohemi e të aftësohemi që të jetojmë në këtë realitet dhe të punojmë për ndryshimin e tij, e jo të bëjmë sehir dhe të presim poshtërimin e radhës.