Zlipotok – Disa familje nga fshati Zliotok i Gorës së Sharrit kanë mbetur të hënën pa kulm mbi kokë, pasi një shpërthim zjarri ka kapluar shtëpitë e tyre. Kryeplaku i këtij fshati, Nuhia Tairovci i tha “Lajmit” se zjarri që ka shpërthyer mëngjesin e së hënës ka lënë pa kulm mbi kokë nëntë familje, ndërkohë që dëmtime më të vogla kanë pësuar edhe disa shtëpi tjera në fqinjësi “Nëntë familje aktualisht kanë mbetur pa kulm mbi kokë, pasi zjarri i ka përfshi shtëpitë e tyre. Ndërkohë, ekziston rreziku që zjarri ta përfshij tërë fshatin”, tha Tairovci.

Burime brenda policisë në Sharr e konfirmuan lajmin, ndërkohë që Policia Rajonale në Prizren, përmes një komunikate për publik ka saktësuar se në këtë fshat janë djegur pesë shtëpi.
Ekipet e zjarrfikësve nga Sharri e Prizreni, kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe strukturat tjera relevante, të cilat, edhe përkundër vapës së madhe, kanë arritur ta lokalizojnë shtrirjen e zjarrit në tërë fshatin, i cili gjeografikisht ka pozitën më të keqe në komunën e Sharrit. /b. beqaj