Sharr - I entuziazmuar që para bashkëfshatarëve të vet do ta ketë “faqen e bardhë”, nënkryetari i KK-së nga radhët e komunitetit goranë, Sabedin Çufta, nuk dinte se çfarë të thoshte të premten, përderisa me kryetarin e KK-së, Halim Shemsidinin, ministrin e Transportit... Qemal Ahmetin dhe ministrin e Shëndetësisë... Sadik Idrizin niseshin për në fshatin e tij, më i madhi dhe më i thelli në komunën e Sharrit, Restelicë. “Po shkojmë t’i fillojmë solemnisht punimet në rrugën Restelicë-Sharr. Ndihem krenar që erdhi ky çast”, tha Çufta, i cili në ditën ë çlirimit të Sharrit, më 15 qershor, duke i përgëzuar qytetarët për këtë festë, premtoi se punimet në këtë rrugë do të fillojnë brenda pak ditësh.
Ministria e Transportit ka ndarë rreth një milion euro për dy rrugët e Gorës, të cilat janë të vetmet që i lidhin fshatrat e kësaj treve me qendrën komunale të Sharrit.
Sadik Idrizi, nëpër fshatin e të cilit kalon kjo rrugë e stërdëmtuar, në shpejtësi deklaroi se ky është edhe një sukses i madh i institucioneve, për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve të Gorës “Është koha që qytetarët e kësaj treve të kenë lidhje më të mira me botën. Sot po i fillojmë punimet në rregullim e kësaj rruge 25 kilometërshe, ndërkohë që me këto mjete do të ndërtohet edhe rruga deri në Brod, me gjatësi 10 kilometër”, tha Idrizi.
Ndonëse numri i banorëve që jetojnë në Gorë është dy herë më i vogël se ai nga rajoni i Opojës, territori i kësaj treve është dy herë më i madh se Opoja. Pikërisht për këtë duhen më shumë mjete për rregullimin e infrastrukturës rrugore. Me ndërtimin e këtyre dy rrugëve, rajoni i Gorës do të ketë lidhje më komode me Sharrin, ndërkohë që është harruar asfaltimi i një rruge tjetër e këtij rajoni, me gjatësi prej katër kilometra, nga magjistralja Zhur-Sharr, deri në fshatin Rapçë. /b. beqaj