Sharr - Darka e katërmbëdhjetë, që kur e filloi këtë ide nëpër komunat e vendit anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës dhe kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend (PDK), Hashim Thaçi, e cila u shtrua në fshatin Zym të Opojës së Sharrit, mbrëmjen e së mërkurës bëri jehonë të bujshme në këtë komunë të varfër.
Paraprakisht, për nderë të delegacionit të PDK-së, njëra nga ndërmarrjet më të fuqishme në komunë, ka shtruar drekë në motelin e vet, të përuruar pak kohë më parë në fshatin Brod të Gorës. Për dallim nga dreka, darkës i është bashkëngjitur edhe Enver Hoxhaj, i cili sapo kishte përfunduar në Prishtinë një debat në lidhje me përpjekjet për shpikje identitetesh. Në Sharr, Hoxhaj është bindur se identiteti i partisë së tij është numerikisht shumë i madh “Nuk kam pritur që në Sharr të ketë kaq shumë simpatizantë të PDK-së. Kjo më bën të mburrem dhe më obligon që të punoj edhe më shumë”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, thashethemeve në lidhje me financimin e këtyre darkave dhe drekave që po shtrohen nga PDK-ja, lideri i saj, Hashim Thaçi, u përgjigjet me modesti. Ai thotë se prania e tij nuk nënkupton edhe barrën financiare të kësaj llonxhe “Unë nuk e di nëse mysafiri duhet të paguaj ushqimin. Merita dhe iniciativa për këtë darkë është e imja, ndërkohë që nderi dhe falënderimet ju takojnë juve”, iu përgjigj shkurt pyetjes kreu i PDK-së. Një përgjigje figurative në lidhje me këtë çështje, jep edhe pronari i motelit në Brod, Rexhep Arifi. Ai duke numëruar mysafirët e rangut më të lartë që vizitonin këtë trevë, edhe kur ky nuk e kishte objektin e vet, pohon se është vendi ai që tërheq mysafirët dhe jo individët, apo partitë “Shtëpia ime, mysafirët e mi. Dera është e hapur për të gjithë, pa dallim”, tha shkurt Arifi, i cili vetëm një javë më parë kishte mysafir edhe kryetarin e LDD-së, Nexhat Dacin.
Qindra të pranishëm në këtë darkë, e cila ka zgjatur deri rreth mesnatës, përbëhej kryesisht nga mësimdhënësit, për të cilët edhe është dedikuar kjo ndejë. Secili nga të pranishmit pozonte me Thaçin, pa ndonjë ngarkesë “Është një nderë i madh kjo iniciativë e liderit të PDK-së, sepse ne kemi mbetur shtresa më e harruar nga të gjitha strukturat, pas asaj të pensionistëve”, tha një veteran i arsimit, pa dashur të identifikohej.
Sido që të jetë, në “darkën e Thaçit” më së paku ka pas diskutime politike. Aty ka dominuar muzika LIVE dhe vallëzimi, ku në disa raste në radhët e vallëzuesve është futur edhe Xhavit Haliti, edhe pse nuk ka treguar shkathtësi vallëzimi. /b. beqaj