Nga 75 rastet e dyshuara, vetëm dy persona të infektuar me Ethe...


Prizren - Drejtues të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Prizren, konfirmuan se nga fillimi i vitit e deri tash në këtë rajon janë paraqitur 75 raste të dyshuara nga ethet hemorragjike “krime kongo”, por analizat e mostrave të gjakut në Lubjanë kanë treguar se vetëm dy persona, njëri prej të cilëve ka vdekur, janë të prekur nga kjo sëmundje. Pranvera që shkoi dhe stina e verës, në rajonin e Prizrenit është karakterizuar me paraqitjen e rasteve të dyshimta të prekura nga pickimi i rriqrave, ndërsa një grua 35 vjeçare, nga fshati Dragobil i Malishevës ka vdekur, kohë më parë.
Mjekët thonë se sëmundja ka karakter sezonal dhe se zhvillohet në kushte klimatike të duhura, në zona me lartësi të ultë mbidetare.
Dr. Nurishahe Hulaj, drejtoreshë në Institutin rajonale për shëndetësi publike në Prizren, tha se zonat më të prekura në rajon janë komuna e Malishevës, Rahovecit dhe deri diku edhe ajo e Therandës. “Nga fillimi i vitit e deri tash në këtë rajon janë paraqitur 75 raste të dyshimta nga pickimi i rriqrave, shumica prej të cilëve nga Malisheva, por nuk ka vend për panik pasi ekipet përkatëse mjekësore janë në teren dhe se gjendja është nën kontroll, ndërsa në viset e prekura po bëhet dezinfektimi”, tha ajo.
Sipas Hulajt, rastet e dyshimta fillimisht janë dërguar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ndërsa më pas mostrat e gjakut të tyre janë dërguar në Lubjanë të Sllovenisë, por deri tash, përpos dy rasteve, një gruaje në Dragobil, që ka vdekur dhe një burri në fshatin Reçan të Prizrenit, që vijon të mjekohet nga infektimi “krime kongo” rastet tjera nuk kanë dalë të jenë të prekur nga ky virus.
“Në bashkëpunim me Institutin kombëtar të Shëndetësisë Publike të Prishtinës, po vijojmë aktivitetin për dezinfektimin e 32 fshatrave të Malishevës, në të cilat çdo ditë janë të angazhuara dy ekipe mjekësore profesionale”, tha Hulaj.
Pas paraqitjes së rasteve të para të etheve hemorragjike, zyrtarët shëndetësor rajonal në Prizren, thonë se ekipet përkatëse po shkojnë nëpër vende të ndryshme për të informuar qytetarët rreth sëmundjes, ndërsa në këtë projekt janë përfshirë rreth 12 mijë anëtarë të komunitetit.
Që nga vitit 2001 e deri tash janë paraqitur mbi 100 raste të dyshuara të prekura nga ethet hemorragjike, ndërsa 16 persona, shumica nga komuna e Malishevës kanë vdekur për shkak të infektimit nga kjo sëmundje. Mjekët thonë se sëmundja është e shërueshme, por rastet fatale, sikurse gruaja nga Dragobili, me vonesë kanë kërkuar ndihmën mjekësore. /kosovalive