Pesë euro “gjobë” për vandalizëm!


Sharr - Nxënësit e klasës së nëntë nga tri fshatra të Opojës, të cilët udhëtonin me autobusin e KK-së, janë obliguar që të paguajnë nga pesë euro, për shkak se kanë dëmtuar ulëset e autobusit. Këtë e kumtoi të premten kryeplaku i fshatit Buçe, Kafer Krasniqi. Sipas tij, janë vetëm nxënësit e fshatrave Buçe, Brezne dhe Plavë, të cilët duhet të paguajnë nga pesë euro, për t’i marrë dëftesat e tyre “Vetëm nxënësit tanë janë ngarkuar me këtë haraç, ndërkohë që kjo nuk vlen për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë”, tha Krasniqi.
Drejtori komunal i Arsimit..., Xhemal Iljazi tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë diskriminim, por se vandalizmi i nxënësve i ka detyruar të marrin një hap të tillë “Janë afro nëntëdhjetë nxënës nga kjo anë, të cilët kanë dëmtuar ulëset e autobusit, me të cilin qarkullonin. Dëmtimet janë shkaktuar me qëllim dhe se nuk bëhet fjalë për amortizimin e autobusit, për të cilin destinacion ne kemi paraparë buxhet”, tha Iljazi.
Edhe kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini, në Tubimin Publik me qytetarë që ka organizuar të premten KK-ja, sqaroi se këta nxënës i kanë dëmtuar ulëset e autobusit me mjete të mprehura “Ulëset janë dëmtuar me qëllim, duke përdorë zhileta, skalpera dhe gjësende të tjera të mprehta. Natyrisht se çdo dëm i shkaktuar me qëllim paguhet. Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë diskriminim financiar, por për dëmshpërblim”, tha Xheladini.
Kryeplaku i fshatit Buçe nuk është pajtuar me arsyet që ka dëgjuar nga krerët komunalë. Ai thotë se diskriminimi, megjithatë, po ndodhë “Nuk mund të thuhet se të gjithë nxënësit kanë qenë vandalistë. Edhe nëse dëmtimi i ulëseve ka ndodhë, atë mund ta kenë shkaktuar një grup nxënësish dhe jo që të gjithë. Prandaj ky është veprim diskriminues që kanë ndërmarrë pushtetarët”.
Qamil Kolloni, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë në Sharr (LDD), e ka quajtur diskriminim ngarkesën që u është bërë këtyre nxënësve “Qeveria lokale ka të parapara mjete për mirëmbajtjen e autobusëve të tyre. Ajo nuk është dashur t’i ngarkoj nxënësit me kurrfarë pagese shtesë, sepse kjo është diskriminim”, tha Kolloni. /b. beqaj