As qytetarëve e as këshilltarëve s’ju intereson debati publik i KK-së


Sharr - Ka dështuar sërish debati publik me qytetarë, i pari për këtë vit që ka tentuar ta organizoj Kuvendi Komunal në Sharr.
Ndonëse ishte paralajmëruar që të mbahej në orën dhjetë, kryetari i KK-së, Halim Shemsidini, me të hyrë në sallën e KK-së (gjysmë ore më vonesë), ka vërejtur se në sallë mungonin qytetarët, por edhe një numër i madh këshilltarësh. “E shoh që nuk kemi qytetarë, por vetëm disa zyrtarë komunalë. Nuk do të kishte efekt nëse zhvillojmë sot debat, por e lejmë për javën tjetër”, tha Shemsidini, i cili premtoi se dy autobusët që ka KK-ja do t’i vej në qarkullim, në mënyrë që qytetarët të vijnë “Njërin do e nisim nga Restelica, e tjetrin nga Zaplluxhja. Ndoshta udhëtimi falas do të ketë efekt”, sqaroi Shemsidini.
Ndryshe nga debatet tjera, kësaj radhe Iniciativa Demokratike e Kosovës (KDI), kishte planifikuar vëzhgimin e këtij debati. /b. beqaj