Sharr - Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Sharr e akuzojnë pushtetin lokal se është duke bërë ndarje të dëshmorëve në baza partiake, sa i përket emërtimit të institucioneve publike. Lulzim Rifaj, sekretar i kësaj organizate, thotë se zyrtarët komunalë e kanë lënë në gjysmë punën e nisur para katër vjetësh. "Deri më tani është zëvendësuar vetëm emri i gjimnazit ‘Emin Duraku’ me atë të dëshmorit Ruzhdi Berisha, dhe kjo lë të kuptohet se veprimet nuk janë në harmoni me deklarimet publike", tha Rifaj. Sipas tij, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Xhemal Iljazi, me rastin e ndërrimit të emrit të Gjimnazit, ka deklaruar se do të angazhohet edhe për zyrtarizmin e emrave të institucioneve të tjera arsimore.

Në anën tjetër, Xhemal Iljazi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit, tha se është deklaruar pro ndryshimeve dhe emërtimeve të institucioneve arsimore, por për një kohë të pacaktuar, nëpërmjet një vendimi, MASHT-i i ka pezulluar këto ndryshime. "Në vendimin e MASHT-it, i datës 28.2.2006, thuhet se në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut pezullohet përkohësisht emërtimi dhe riemërtimi i shkollave, ndalesë kjo që është në fuqi deri në caktimin e rregullave dhe të kritereve, në bazë të së cilave do të bëhet emërtimi dhe riemërtimi i shkollave nga grupi i ekspertëve". Ndërkaq, sa i përket konstatimit të veteranëve se nuk po trajtohen të gjithë dëshmorët njësoj, ai theksoi se mund të ketë mendime të ndryshme, por detyra e tij është t'i respektojë ligjet në fuqi.
Kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini, në lidhje me këto probleme tha se procedura e emërtimeve të shkollave është në relacionin Shkollë-Drejtori-Ministri dhe nuk ka të bëjë me ekzekutivin lokal. "Vetëm kur ta kenë ndjekur procedurën secila shkollë, pastaj t'ia ketë përcjellë Drejtorisë së Arsimit, e kjo e fundit ia përcjell MASHT-it, atëherë mund të fuqizohet ky propozim. Një procedurë të tillë e ka ndjekur vetëm shkolla e mesme, prandaj edhe emri i kësaj shkolle tashmë është ndryshuar", tha Xheladini. /b. beqaj