Nxënësit e Kukit, qe dy vjet mësojnë nëpër lokale private


Kuk - Rreth katërqind nxënës të shkollës fillore “Muhamet Çami” në Kuk të Opojës, të hënën e rifilluan mësimin, pas një ndërprerje disajavëshe, për shkak të mungesës së kushteve për mësim. Ka dy vite që këta nxënës mësojnë nëpër objekte private, duke pritur që objekti shkollor të meremetohet në tërësi. Drejtori i shkollës, Fatmir Mehmeti, e konfirmoi lajmin për rifillimin e mësimit, pasi ai ishte ndërprerë më 27 prill “Nxënësit do ta vazhdojnë mësimin nëpër objekte private të fshatit, përderisa të përfundojnë punimet në objektin shkollor”, tha Mehmeti.
Drejtori i Arsimit në Sharr, Xhemal Iljazi, tha se objekti do të jetë i gatshëm kur të filloj viti i ri shkollor “Me fillimin e vitit të ri shkollor, nxënësit do të kthehen në objektin e tyre, pasi atëherë do të përfundojnë të gjitha punimet në meremetimin e shkollës”, tha Iljazi.
Për dy vjet rresht, prindërit e nxënësve kanë kundërshtuar që fëmijët e tyre të mësojnë si dikur, nën masa të dhunshme, por ata kanë lëshuar pe, pasi kanë marrë siguri se viti i ri shkollor, kësaj radhe vërtetë do të filloj në objektin e rinovuar. /b. beqaj