Vdiq Adem Osmani, deputeti i Sharrit


Krushevë – Mëngjesin e së dielës, nga një sulm në zemër ka vdekur Adem Osmani (41) nga Krusheva e Gorës së Sharrit, deputet në KK të Sharrit, shef financiar në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe zëdhënës i partisë së ministrit të Shëndetësisë, Sadik Idrizi, “Vatan”, e cila ka tre mandate në KK. Burimet tona mësojnë se Osmani ishte ankuar në mëngjes se nuk ndihej mirë. Me të dalë nga banja, në shtëpinë e tij në Krushevë, ai ndërron jetë.
Në mbledhjen e fundit të KK-së, Osmani kishte kritikuar disa institucione publike të Sharri për mosrespektimin e përqindjes së popullsisë minoritare, gjatë punësimit në këto institucione. Ai ka kërkuar që të rritet numri i të punësuarve nga minoriteti i Gorës.
Adem Osmani pas vete ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë, ndërkohë që varrimi i tij u bë të dielën pasdite. /b. beqaj