Takohen “policitë shqiptare”


Krushevë - Me një shtrëngim vëllazëror duarsh, në vijën e gjelbër të brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, afër fshatit Krushevë të Gorës së Sharrit, u takuan krerët e dy policive, andej e këndej kufirit. Kolonel Ragip Bunjaku, ushtrues detyre i asistentit të Komisarit të policisë kufitare të SHPK-së dhe Komisari Hysni Burgaj, drejtor i Policisë së Qarkut të Kukësit, e cila përfshinë edhe krahinën e Hasit dhe Tropojës, solemnisht filluan të premten bashkëpunimin e dy policive, në kontrollimin e vijës kufitare. Të pranishëm në këtë solemnitet ishin edhe policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i, të cilët u njohën për së afërmi me punën dhe hierarkinë e policisë shqiptare.
Është kjo hera e parë e një takimi të tillë madhështorë, midis dy policive dhe KFOR-it, të cilët nga e premtja bashkërisht do ta kontrollojnë brezin kufitar.
Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, komisari Hysni Burgaj, nuk i fshehte emocionet që po përjetonte një ndryshim kaq të madh në këtë zonë kufitare “Merre me mend se si ishte dikur ky kufi, e si është sot! Pothuajse ishte e pamundur të takoheshin vëllezërit nga dy anët e kufirit në këtë vend... E sot, takohemi dy policitë, për të filluar bashkëpunimin dhe kontrollin e përbashkët të kësaj vije kufitare. Megjithatë, krahasuar me kohërat kur ishte kufi i hekurt, sot nuk kemi asnjë aksident. Njerëzit lëvizin lirshëm andej e këndej kufirit. Fundja, liria e lëvizjes është element kryesor i parandalimit të kriminalitetit”, tha Burgaj.
Nga ana tjetër, kolonel Ragip Bunjaku ishte më i matur në deklaratat e tij. Ai vetëm fliste për rolin dhe përgjegjësinë që po e merrte Policia Kufitare e Kosovës “Për ne është një përgjegjësi e madhe pranimi i kësaj detyre. Njëkohësisht është edhe dëshmi se policia jonë po bëhet gjithnjë e më e pavarur dhe me më shumë kompetenca. Shpresojmë se do të kemi bashkëpunim të mirë me policinë e Shqipërisë, në parandalimin e dukurive antiligjore”, tha Bunjaku.
Pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, vetëm se vëzhgonin me kënaqësi takimin midis dy “policive shqiptare”. Ata më së shumti u interesonin të mësonin për strategjinë dhe hierarkinë e policisë së Shqipërisë, e cila nuk ka polici të pavarur kufitare, por vetëm një sektor për kufirin, në kuadër të Policisë së Shtetit.
Kjo është hera e parë që Policia e Kosovës, ajo e Shqipërisë dhe KFOR-i do të bëjnë patrullim të përbashkët. /b. beqaj