Festa që shënoi më shumë dashuri se politikë!


Sharr - Festa e Shën Gjergjit, apo "Gjurgjevdani", siç e quajnë goranët, ia arrin t'i kthejë në vendlindje, për pak ditë, shumicën e banorëve të Gorës së Sharrit. Por, pasi mbarojnë ditët e kësaj feste, ata sërish kthehen atje ku punojnë dhe jetojnë aktualisht. "Nuk kam arsye të qëndroj më tepër këtu, më pret puna në Beograd", shprehet Demiri, një i ri goran, për t'u larguar më pas me të dashurën e vet drejt turmës së njerëzve. Mexhiti, një mesoburrë, thotë se në Gorë nuk ka kushte për të qëndruar gjithmonë, sepse nuk ka punë. Ai e hedh poshtë çdo pohim se largimi nga kjo trevë bëhet për arsye politike. "Nuk ka punë, nuk ka jetë... Assesi nuk qëndron ajo që thuhet se jemi larguar për shkaqe politike apo sigurie. Edhe shqiptarët e Opojës, gati nga secila shtëpi nga një e më shumë, gjenden në kurbet", thotë ai. Të rinjtë këtë festë e shfrytëzojnë për shëtitje, njohje të reja dhe zbavitje, ndërkohë që edhe më të moshuarit dalin për piknik. Moti i mirë që mbretëroi këto ditë mundësoi që udhëtimi i goranëve nga të gjitha vendet e botës të mos shkojë huq. Në ditën e parë të festës, të dielën, mijëra veta u mblodhën në vendin e quajtur "Vllashko", afër fshatit Vraniç. Të hënën, kremtimi vazhdoi në Rapçë, të martën kremtimi kaloi në fshatin Radeshë, pastaj në Brod dhe në Restelicë, ku edhe përfundon festa.
Për dallim nga vitet e tjera, kur muzika serbe dëgjohej më së shumti, këtë vit dominuan surlet dhe tupanët. Kjo ka bërë që edhe opojanët t'i bashkëngjiten festës.
Etnomuzikologu Bahtir Sheholli thotë se Opoja është një trevë karakteristike, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në Ballkan, që i shënon masivisht festat me prejardhje pagane. "Nuk është vetëm Shëngjergji që festohet këtu, por janë edhe Verza, Jeremia, Shinkolli e shumë festa të tjera, të cilat me fanatizëm janë ruajtur në këto troje", thotë Sheholli.
Sidomos pas luftës, mediat serbe e kanë përcjellë me "vëmendje" kremtimin e "Gjurgjevdanit" në Gorë. Pesë televizione serbe, përfshirë edhe Radiotelevizionin nacional serb (RTS), e gjiruan manifestimin e sivjetmë. Por, edhe sivjet storjet e tyre nga kjo ngjarje kanë qenë përplot politikë. Koordinatori i të ashtuquajturës Qendër e Serbisë për Kosovën, Abdi Alija, citohej të ketë thënë se problemet e goranëve që kanë mbetur këtu janë të mëdha. "Ata po shpërngulen nga pasiguria për të ardhmen e këtij vendi". Një nga organizatorët e këtij tubimi, Fejzo Kamberi, nga OJQ "Neven", tha se kjo ditë nuk ka të bëjë fare me politikën, por është ditë e dashurisë, e luleve dhe e zgjimit të natyrës. "Të gjitha i ke këtu... Muzikën, lojërat, dashurinë... Vetëm politika këtu nuk e ka vendin", tha Kamberi.
Sido që të jetë, gjatë kësaj feste shumë të rinj goranë janë njohur, janë fejuar dhe janë martuar. Atyre fare nuk u ka rënë të merren më politikë. /b. beqaj