SHKA “Bresana” vazhdon me suksese


Gjonaj – Ka përfunduar të shtunën mbrëma festivali i 18-të i folklorit burimor “Hasi Jehon”, që organizohet nga SHKA “Malësori”. Në festivalin e sivjetmë që u mbajt nën patronatin e kryetarit të KK-së, Eqrem Kryeziu, gjatë tre ditëve, sa ka zgjatur festivali, me programet e tyre janë paraqitur 20 SHKA, me rreth 600 anëtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Juria profesionale, në përbërje: Dilaver Kryeziu, Muhamet Lusha, Esat Ruka, Xheladin Kastrati dhe Sami Piraj, çmimin “Malësori” ia kanë ndarë SHKA-së “Bresana” nga Bresana e Sharrit, atë ”Lahuta” SHKA-së “Ia Boletini” nga Romaja e Prizrenit, ndërsa çmimin “Malësorja” SHKA-së “Dita” nga Shtimja.
Në kuadër të këtij festivali, në Qendrën Kulturore “Reshat Çoçaj” janë hapur edhe dy ekspozita, njëra e veshjes hasjane kurse tjetra e prodhimeve të bukës, si zeje tradicionale e Hasit, ku femrat hasjane kanë demonstruar gatimin e prodhimeve të bukës.
Në ditën e dytë të festivali, të premten, është mbajtur një tryezë e rrumbullakët, në të cilën ekspertët e muzikës kanë folur për të arriturat e deritashme të këtij festivali tradicional.
Ndryshe, festivali është mbajtur nën qiellin e hapur, në “Kodën e Pajtimit”. Festivali ”Hasi Jehon”, në vitin 2005, nga Komisioni i KK-së në Prizren, për shpalljen e më të mirëve në lëmin e kulturës u shpallë ngjarje kulturore e vitit. Ndërkaq, festivali konsiderohet të jetë njëri ndër festivalet më masovike që organizohen në komunën e Prizrenit, ngase në të çdo vjet marrin pjesë mbi 20 SHKA, ansamble dhe grupe artistike nga vendi dhe nga jashtë, me rreth 600 anëtarë, ndërsa gjatë 3 netëve sa zgjatë festivali, atë e përcjellin mbi 10 mijë shikues nga Kosova dhe nga jashtë. /bashkim susuri