Bresanasit kërkojnë më shumë investime në kulturë


Bresanë - Me një aktivitet kulturor në fshatin më të madh të Opojës, Bresanë, Qendra Rinore nga Prishtina kishte për qëllim të sensibilizonte opinionin, për meremetimin e Shtëpisë së Kulturës në këtë fshat, e cila rrezikon të shembet gjatë vibrimeve, kur rrallëherë zhvillohet ndonjë aktivitet në brendi të saj. Lindita Loshi, menaxhere e projekteve në Qendrën Rinore nga Prishtina, tha se të rinjtë e kësaj ane duhet të kenë kushte për aktivitete kulturore, sikurse të rinjtë e gjithë botës “Duhet bërë më shumë për këta të rinj në zonat rurale dhe jo të fokusohemi vetëm nëpër qytete. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe institucionet, të cilat duhet të investojnë edhe në këto anë”, tha Loshi.
Fshati Bresanë, me një lartësi mbidetare mbi njëmijë metra dhe me një largësi prej 15 kilometrash nga qendra komunale, me dekada ka objektin e Qendrës Kulturore, por që ai ka mbetur në mëshirën e kohës gjatë dekadave të fundit. Duke e marrë parasysh numrin e madh të të rinjve, bresanasit ndjejnë nevojën që të bëhen investime në këtë objekt kulturor.
Kryetari i fshatit, Ymer Ademi, i cili njëherësh është edhe këshilltar komunal nga partia në pushtet (LDK), thotë se është mëkat që të mos investohet në këtë objekt, ku numri i të rinjve çdo ditë e më tepër po shtohet. “Të rinjtë kanë nevojë për më shumë hapësirë, qoftë për ta kaluar kohën e lirë, apo edhe për të mësuar. Në fshatin tonë kushtet janë të mira, por për të rinjtë është shumë keq. Ata nuk kanë shumë mundësi për shkollim, e as për ndonjë aktivitet kulturor, pasi Shtëpia e Kulturës që dikur i ka mbledhur ata, tani është jashtë funksionit”, tha Ademi, duke i kujtuar me nostalgji ditët kur ky objekt ishte funksional. “Organizimet që janë mbajtur në këtë objekt, nga ana e Shoqërisë Kulturo-Artistike ‘Bresana’, i kanë dhënë jehonë dhe gjallëri këtij vendbanimi. Mirëpo sot askush nuk brengoset nga institucionet tona. Ata na vizitojnë vetëm në kohën e zgjedhjeve, ku na premtojnë shumë investime, sa për të fituar më shumë vota. Por, kur vjen koha për t’i realizuar ato premtime, ata heshtin”, tha Ademi.
Demir Reshiti, këshilltar komunal nga LPK-ja, i cili gjithashtu është nga ky fshat, thotë se në objektin e vetëm kulturor të fshatit Bresanë nuk është bërë asgjë, edhe pse ka pasur premtime “Bresana meriton shumë më tepër... Gjendja në të cilën ndodhet shtëpia e kulturës, është për t'u çuditur. Nuk e di se si po e marrin guximin të zhvillojnë aktivitete në brendi të saj anëtarët e SHKA ‘Bresana’... Mund të ndodhë që t’iu kushtoj me jetë, sepse kulmi i këtij objekti rrezikon të shembet mbi ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të rezultateve të mëdha që ka arritur kjo shoqëri, duke e prezantuar denjësisht, jo vetëm komunën e Sharrit, por edhe Kosovën në aktivitete kulturore, ky objekt duhet të meremetohet”, tha Reshiti, i cili ishte i bindur se pushteti komunal mund ta meremetoj këtë objekt, por ata investimet po i orientojnë në baza politike “Investimet po përqendrohen në rajonin e Gorës, për t'ua bërë qejfin partnerëve goranë qe i kanë në bashkëqeverisje”, konstaton Reshiti.
Nga ana tjetër, kryeshefi i Ekzekutivit në Sharr, Behxhet Xheladini, edhe ky banor i fshatit Bresanë, pranoi për “Lajm” se nga kjo trevë kanë dalë shumë intelektualë të profileve të ndryshme, falë angazhimit vetanak të banorëve të këtij lokaliteti. Xheladini shpreson se shumë shpejt Shtëpia e Kulturës në Bresanë do t’i kthehet gjendjes së mëparshme. “Ne ia kemi dorëzuar një projekt Ministrisë së Kulturës për rindërtimin e këtij objekti dhe kemi premtime se ai do të realizohet”, tha Xheladini.
Ndryshe, në kuadër të Shtëpisë së Kulturës, dikur funksiononte edhe kinemaja, e cila deri në vitin 1990, shfaqte së paku nga dy filma në javë. Ky objekt është përdorë edhe për destinime tjera, si ato sportive, politike, e sidomos arsimore. /b. beqaj