Në emër të transparencës, fyen gazetarin e “Lajmit”


Sharr -
Udhëheqësit e Iniciativës Demokratike të Kosovës (KDI) në Sharr organizuan të enjten një debat, në lidhje me shkallën e transparencës së pushtetit lokal. Përfaqësues të partive politike, që s'janë në pushtet, i akuzuan pushtetarët se janë të izoluar hermetikisht. "Ju fare nuk jeni transparentë… Keni arritur që gazetarët e komunës sonë t'i futni nën ombrellën tuaj, kështu që e keni rikthyer formën e informimit gjatë sistemit monist. Në Sharr është vetëm gazetari i 'Lajmit', të cilin nuk po arrini ta futni nën kontrollin tuaj", tha sekretari i PDK-së, Avni Nebiu. Menjëherë reagoi shefi i Zyrës Profesionale të Kuvendit Komunal, Azbi Halili, i cili për shumë vjet ishte korrespodent i "Rilindjes". Ai e kundërshtoi Nebiun, ndërkohë që korrespondentin e "Lajmit", Beqir Beqaj, e quajti rrugaç, pa dhënë kurrfarë arsyetimi për këtë "epitet".
"Ai assesi nuk mund të marrë informacione nga zyra ime", tha Halili, fjala e të cilit i ngriti tensionet në sallën e Shtëpisë së Kulturës.
Organizatori ia tërhoqi vërejtjen atij, duke thënë se është ftuar për të treguar se sa është transparent pushteti i Sharrit. "Mos fyeni e as mos kërcënoni...Tregoni se sa në të vërtetë jeni transparentë", i tha Halilit moderatori i takimit, Ismet Kryeziu. Tryeza përfundoi me tensione, madje edhe më pas, në rrugë, ku janë dëgjuar kërcënime dhe fyerje mes pushtetarëve, opozitarëve dhe gazetarëve. /lajm