Sharr - Është apo jo e para... Është apo jo më e varfra në vend, kuvendarët e Sharrit miratuan një rregullore, me të cilën i ngarkon pronarët e automjeteve me një taksë shtesë për rrugët, nga 10 deri në 20 euro, me rastin e regjistrimit të automjetit.
Përpiluesit e kësaj rregulloreje nuk i morën për bazë ankesat e opozitës, të cilët nuk u pajtuan me këtë taksë shtesë. Sipas opozitës, kjo nuk duhet të bëhej në komunën e Sharrit, sepse ajo është më e varfër në vend, ndërkohë që e para po implementon një haraç të tillë “Jemi komuna e parë që aplikojmë një taksë të tillë, ndërkohë që jemi të fundit për nga mirëqenia ekonomike. Prandaj, mos e ngarkoni popullin, sepse edhe kur u aplikua taksa prej 40 euro, u tha se do të kemi rrugë më të mira, por në Sharr kjo nuk u vërejt”, tha deputeti i LPK-së, Demir Reshiti. Mendim të njëjtë kishte edhe deputeti nga Iniciativa Qytetare e Gorës (GIG), Dejir Jilmazi, i cili kërkoi nga kryetari të sqaroj se çka përfitoi Sharri nga taksa prej 40 euro “Çka përfituam ne nga taksa prej 40 euro? Ende i kemi rrugët më të këqija në vend”, tha Jilmazi.Mitat Fejza nga PDK dhe Naser Meleqi nga AAK, kërkuan që, edhe nëse miratohet kjo taksë, implementimi i saj të bëhet nga viti 2008.
Ndërkohë, deputetët nga LDK-ja u shprehen se taksa në fjalë është në dobi të qytetarëve, prandaj duhet të miratohet. Edhe drejtori i për Ekonomi dhe Inspekcion, Usmen Ballxhi, i ftoi deputetët që ta votojnë rregulloren, duke dhënë arsyet e nxjerrjes së saj “Edhe nëse jemi të parët që po e votojmë një rregullore të tillë, është mirë. Mos harroni se komuna jonë ka përftuar më së shumti para për rrugët, në krahasim me komunat tjera të kalibrit tonë. Një milion euro këtë vit do të investohen në dy rrugë rajonale... Kjo nuk është pak”, tha Ballxhi, duke shtuar se nuk janë varfanjakë ata që kanë vetura.
Për t’i ndërprerë debatet e shumta, kryetari i KK-së, Halim Shemsidini, e vuri në votim rregulloren, ku me 10 vota pro dhe 6 kundër, nga 21 deputetë që ka kjo komunë, ajo u miratua.
Sipas kësaj rregulloreje, e cila menjëherë do të hyj në fuqi, çdo pronar i automjetit deri në 3.5 tonë, do të paguaj 10 euro taksë për rrugët lokale, ndërkohë që për automjetin mbi këtë peshë, taksa do të dyfishohet.
Sipas njoftimit që u dha në Kuvend, komuna e Sharrit ka gjithsejtë 4629 automjete të kategorive të ndryshme. /b. beqaj
