Çfarë kanë boshnjakët e serbët me goranët, bre?!


Shruan: BESIM CENGU











Para disa kohësh, në revistën “Sharri” (nr. 56-57 viti 2006-2007) u botua një artikull imi, në të cilin me sinqeritet pata shtruar shqetësimin, se pse goranët po tentojnë të arratisen prej identitetit të vet. Këtë dukuri (për mua absurde) vërtet unë nuk po e kuptoj, ose nuk po arrij ta kuptoj.
Përnjëmend, pse ky “pasion”, apo edhe opsesion me sindromë negative për këtë komunitet, që realisht është vlerë e pamohueshme e shqiptarëve, është prezent tek shumë pjesëtarë të këtij komuniteti?!. Kush më thotë e më sqaron mua, për ç’arsye bëhet kjo?!
Nëse kjo lojë shkon në të mirë të goranëve, ma argumentoni, të bindem edhe unë, e që publikisht të them, se paskam qenë gabim. Nëse nuk shkon, pse veprohet kështu që pashmangshmërisht shpie drejt asimilimit që të paktën ne shqiptarët kurrsesi nuk e dëshirojmë. Unë kam qenë shumë i ndërgjegjshëm kur e strukturova artikullin, me qëllimin se kështu do t’i shërbej interesit të Gorës dhe goranëve, të cilët jo vetëm se i respektoj, por edhe në situatën që ne jemi dua që ata të prosperojnë dhe të kenë dinjitetin e nëpërkëmbur për shekuj me radhë.
Kam shfletuar në internet reagime rreth shkrimit tim dhe jam ndeshur me shumë kundërshti naive të disa goranëve (kryesisht nga Shishtaveci), të cilët fatkeqësisht, as nuk kishin arritur të kuptonin shkrimin, por nga ana tjetër, as nuk kishin asnjë forcë argumentuese e vlerësuese për t’i përballuar faktet reale dhe të vërteta si drita e diellit. Madje, për shkak të mungesës së argumentit dhe njohjeve elementare shkencore, arrinin deri në etiketime të pakulturuara dhe krejtësisht të pabaza. Nuk kishin faj. Edhe unë nuk iu përgjigja (jo për ofendim), pasi nxora lehtësisht konkluzionin se në atë faqe të internetit, nuk shkruanin individë kompetentë, por vetëm emigrantë që kanë lindur në fshatrat gorane, por nuk kanë lidhje me historinë e Gorës në të kaluarën dhe ecurinë e saj në situatat e reja politike dhe sociale. Unë jam një nga njohësit e kësaj treve që kam pasur rastin ta shkel me këmbë dhe njëkohësisht një nga miqtë e shumë goranëve, me të cilët fati më ka lidhur që në rininë e hershme. Nuk kam lënë fshat të pjesës së Gorës në territorin e Kukësit pa shkelur dhe pa fjetur në shtëpitë e tyre. Pas lufte, njoha edhe fshatrat gorane në komunën e Sharrit.
Nejse, t’i lëmë këto, por të analizojmë dy takime që sqarojnë edhe më tej drojën time të shprehur në atë artikull të botuar në revistën “Sharri”.
Në të dy takimet, flitet për komunitet boshnjak e serb, por nuk zihet në gojë Gora dhe goranët me veçoritë e tyre, pa asnjë lidhje as etnike e as historike, si me Bosnjën, ashtu edhe me Serbinë.
Xhezair Murati, shef i koalicionit boshnjak “Vakat”, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë nga Gora, Sadik Idriz(i), ishin në Gorë. Asgjë të keqe nuk ka nga një takim me një komunitet. Por, kur atij i mohon identitetin e tij shekullor, atëherë puna qëndron ndryshe. Për mua kësaj i thonë mohim i së drejtës themelore të një populli, madje edhe ofendim.
Shefi i koalicionit, Murati, tha para shumë goranëve se “qe një vit po marrim pjesë në Ekipin Negociator, për të avancuar sa më shumë komunitetin tonë (për cilin komunitet e ka fjalën, për atë goran apo boshnjak). Më tej ai vijoi: “Sa i përket statusit, të gjithë e kanë të qartë atë. Këshilli i Sigurimit, deri në fund të vitit, do ta përfundojë këtë problem. Ne si minoritet nuk duhet të merremi me statusin, sepse ka kush merret, por ne duhet të interesohemi për pozitën tonë në Kosovë”. Deri këtu mirë, por ende nuk e marrim vesh qartë se për cilin minoritet e ka fjalën. Atë e sqaron më mirë, me guxim të “çartur” Sadik Idriz(i), kur në këtë takim u shpreh: “Plani i Ahtisarit është përqendruar në masë të madhe në mbrojtjen e minoriteteve, jo vetëm atij serb. Në dokumentin e tij ekziston garanci e madhe për minoritetet, e që do ta mbikëqyrë bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, nuk duhet të frikësohemi, aq më pak që jemi boshnjakë (!!!)”.
E çuditshme shprehja “...nuk duhet të frikësohemi, aq më pak që jemi boshnjakë (!!!)”. Çdo të thotë kjo?! Me ndërgjegje të plotë e thotë gorani Sadik këtë pohim?!
Nuk do të doja ta besoja një gjë të tillë! Mirëpo, është reale kjo shprehje dhe sigurisht që “kjo lojë politike ditore” e ndihmon atë personalisht. Ani çka, nëse nuk i konvenon komunitetit goran, pjesë e të cilit është ai.
A nuk është arratisje prej identitetit ky akt? Si mundet ta thotë një intelektual goran një gjë të tillë, duke shkelur e nëpërkëmbur, jo vetëm historinë e traditën e Gorës, por edhe dinjitetin e një komuniteti të tërë. Unë kurrë nuk besoj se banorët e Shishtavecit, Restelicës, Borjes e Brodit, Zapodit e Rapçes, Orgjostit e Vraniçit etj, do ta pranojnë këtë identitet të ri të stisur, me të cilin kurrë nuk kanë pasur lidhje dhe afri. Edhe më indiferentët e kuptojnë se këto takime dhe këto definime antishkencore e antihistorike, bëhen për efekt të politikës që nuk i shërben askujt e sidomos Gorës e goranëve. Thënë më shkoqur; pse takime të tilla u shërbejnë disa individëve që paguhen për këtë punë, aspak nuk ndihmon në përcaktimin e goranëve në pozicionin e vërtetë, brenda përbrenda vetvetes, trevës ku jetojnë dhe identitetit të tyre në mesin e shqiptarëve. Duhet ditur mirë e saktë tanimë, se populli i kësaj treve, nuk duhet të vuajë më prej instrumentalizimit që e kanë shpënë deri në kufijtë e asimilimit. Kultura dhe tradita gorane është pasuri e padiskutueshme shpirtërore e një populli që do lirinë, gjuhën e tij, veçoritë e traditën, që e dallojnë prej të tjerëve. Ajo evidencohet e praktikohet vetëm duke qenë si goranë, duke mësuar gjuhën nashke nëpër shkolla, duke kënduar këngët tradicionale dhe duke praktikuar festat, dasmat, ritet... sipas traditës gorane. Ndryshe, pas një kohe, jo fort të gjatë, zor se do të ketë identitet goran. E humbja e këtij identiteti, do të thotë humbje e shumçkaje prej shpirtit tonë të përbashkët, goranë e shqiptarë.

P. S. Autori është shef i Departamentit të Arsimit dhe Kulturës në prefekturën e Kukësit.
Është gazetar aktiv në shtypin e ditës në Prishtinë dhe Tiranë.
Në Kukës ka botuar dhe udhëhequr gazetat “Kukësi i Ri”, “Luma” dhe “Shpresa”.