Sharr - Sherif Salihu, pronar i ndërmarrjes për qarkullim të udhëtarëve “Bres-Turs” nga fshati Bresanë, në Opojë të Sharrit, nuk e kishte pritur se do të ketë probleme, kur nga një ndërmarrje simotër e kishte blerë linjën e qarkullimit Sharr-Prizren. Ai sapo fillon të qarkulloj me autobusët e tij në këtë linjë, bie në konflikt me pronarët e kombibusëve, të cilët e akuzojnë se “po ua merr bukën”.
Pronarët e kombibusëve thonë se ata janë tradhtuar nga organet komunale. Sipas tyre, ata kanë paguar të gjitha taksat dhe posedojnë leje nga qeveria lokale, deri më 19 shkurt të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, kryeshefi i ekzekutivit në Sharr, Bexhet Xheladini, thotë se kombistët nuk janë tradhtuar nga qeveria lokale, e as nga KK-ja, por pengesa është në Ministrinë e Transportit... “Nuk është e vërtetë se ne i kemi tradhtuar. Ata mund të qarkullojnë lirshëm brenda territorit të komunës sonë, ku nuk i pengon askush”, tha Xheladini.
Pronari i linjës së autobusit në relacionin Sharr-Prizren, Sherif Salihu, thotë se ai nuk mund të qarkulloj në këtë linjë pa udhëtar, sepse harxhimet janë tepër të larta “Unë nuk mund të qarkulloj dy herë në ditë nga 70 kilometra, me nga dy-tre udhëtarë, sepse harxhimet janë të mëdha. Le të ma paguajnë naftën, do ta bëj këtë, qoftë edhe për formalitet. Ndryshe, udhëtarët t’i mbledhin kombibusët e unë të qarkulloj me autobusë të zbrazur, nuk e përballoj dot”.
Pronarët e kombibusëve ankohen se inspektori komunal po i pengon në punë e tyre, e cila u është lejuar me një konkluzion të qeverisë lokale. Sipas tyre, ata disa herë janë ndëshkuar nga inspektori komunal. Por, kryeshefi i ekzekutivit e mohon këtë “Nuk është e vërtete se inspektori komunal i komunikacionit ka ndaluar kombistët, e aq më pak ta këtë dënuar ndonjërin pre tyre. Nëse i pengon policia me urdhër të ministrisë, unë këtë nuk mund ta komentoj, sepse nuk kam kompetenca mbi ta. Me kompetencat që kam, iu kam ndihmuar mjaftë atyre që të ushtrojnë veprimtarinë, por instancat më të larta duhet t’i respektojmë”, tha Xheladini.
Aktualisht, Stacioni i Autobusëve në Sharr, më shumë i ngjason një qendre tregtare se sa një objekti për çfarë është ndërtuar. Shefi i këtij stacioni, Fejzi Dedari, thotë se askush nuk e ka paraqitur orarin e qarkullimit të autobusëve në këtë institucion “Ne nuk dimë asgjë për orarin e qarkullimit, sepse askush nuk e ka paraqitur tek ne. E di që ekzistojnë linjat, por asgjë nuk kam zyrtarisht. Aktualisht janë të rregullta vetëm linjat e kontraktuara për bartjen e nxënësve”, tha Dedari, duke iu bërë thirrje organeve kompetente që sa më parë ta normalizojnë transportin e udhëtarëve, i cili, sipas tij, është kaotik. /b. beqaj