Kreu i GIG-ut ende mbetët lider i dyanshëm!
Sharr, 26 prill 2008 - Lideri i subjektit politik goran, Iniciativa Qytetare e Gorës (GIG), Mursel Halili, ka deklaruar të premten, pasi është takuar me ministren bullgare për Integrime Evropiane, Gergina Gërnçareva, e cila ka vizituar zyrën e tij në Sharr, se ai dhe popullata që përfaqëson, nuk janë bullgarë por goranë. Halili e ka mohuar faktin që Gërnçareva ta ketë vizituar Gorën, me kërkesë të goranëve që dëshirojnë të jenë pakicë bullgare në Kosovë. “Para së gjithash, ne kemi biseduar për problemet që ka komuniteti goran dhe për format se si do ta ndihmonte Bullgaria komunitetin tonë. Ministrja nuk ka ardhur tek ne për të biseduar që të bëhemi bullgarë, siç kanë raportuar disa media”, thotë Halili, duke potencuar se edhe Gërnçareva u ka thënë se i respekton ata si goranë.
Pa dashur ta komentoj arsyen, se përse ministrja bullgare, e shoqëruar edhe nga ambasadori i Bullgarisë në Prishtinë, nuk i ka përfillur institucionet komunale, por drejtpërdrejt ka vizituar vetëm GIG-un, Halili thotë se i kanë njoftuar mysafirët me problemet me të cilat ballafaqohet popullata e Gorës, gjendjen e së cilës e pasqyron tejet të vështirë “I thamë ministres që ne kemi probleme ekonomike dhe i treguam se gjendja në Gorë është tejet e keqe. Ajo na tha se do të angazhohet që t’i sjell disa kompani bullgare tek ne, për të parë nëse mund të investohet në rajonin tonë. Njëherësh, ajo na premtoi se shteti i saj do t’i financoj studimet për dhjetë student goranë në universitetet bullgare”, tha Halili.
Një ditë para se të vizitonte subjektin politik goran (GIG), një medium serb nga Kosova citon ministren Gërnçareva të ketë thënë se në Gorë do të vizitoj Mursel Halilin, sepse ka një kërkesë nga goranët që të pranohen si pakicë kombëtare bullgare në Kosovë. Kjo kërkesë e goranëve, sipas këtij mediumi serb, i cili thirret në disa media bullgare, vjen pasi gjuha që flasin goranët është e ngjashme me gjuhën bullgare. Mirëpo, Halili e mohon këtë, duke thënë se krenohet që i përket, siç thotë ai, kombësisë gorane “Unë veten e konsideroj goran dhe jo bullgar. Ne krenohemi që jemi goranë. Jemi shtetas të Republikës së Serbisë dhe nuk kemi asnjë arsye ta ndërrojmë identitetin”, i ka thënë Halili një radioje serbe nga Kosova.
I pyetur, nëse kjo radio ka bërë ndonjë gabim në citatin e tij, përkitazi me shtetësinë, Halili as nuk e mohon dhe as nuk e pohon. Ai madje e ndërlidhë shtetësinë me faktin që shumica e kosovarëve posedojnë pasaporta serbe, sikurse ai “Përderisa ne kemi këto pasaporta dhe përderisa të mos ulen një ditë Prishtina dhe Beogradi dhe t’i qartësojnë marrëdhëniet, asgjë nuk do të jetë definitive”, thotë ai. Të kota ishin tentimet tona që Halili të na thotë nëse ndihet si shtetas kosovar apo serb. Por, ai këmbëngul se i përket nacionalitetit goran dhe jo bullgar. Për herë të parë popullata e trevës së Gorës u quajtën goranë, sipas nacionalitetit, me ardhjen e Sllobodan Milosheviqit në krye të Serbisë, kur edhe komuna e Sharrit u nda në dy pjesë. Komuna e Gorës, me seli në Sharr dhe Komuna e Opojës, pa seli fare. /b. beqaj