Sharri votoi qetë dhe me dinjitet
Sharr, 18 nëntor 2007 - Në zgjedhjet e 17 nëntorit, në komunën e Sharrit të drejtë vote kanë pasur 33.465 qytetarë. Mirëpo, sipas të dhënave zyrtare nga KKZ-ja në Sharr, të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar vetëm 12.055 votues, ose 40.5 %.
Krahasuar me shifrën e votuesve nga zgjedhjet e fundit, numri i votuesve në zgjedhjet e këtij viti ka shënuar rritje për afro 3.000 votues. Për këtë arsye, sipas Rregullores së KQZ-së, për zgjedhjet e këtij viti është rritur edhe numri i qendrave të votimit dhe i vendvotimeve. Nga 19 qendra të votimit, aq sa ishin në zgjedhjet e kaluara, për zgjedhjet e së shtunës janë shtuar edhe katër qendra të reja votimi, ndërkohë që janë shtuar edhe gjashtë vendvotimeve të reja, nga 47 sa kishte në zgjedhjet e fundit.
Me shtimin e këtyre qendrave dhe vendvotimeve të reja, pak a shumë u është lehtësuar votuesve nga disa vendbanime të thella që të arrijnë më lehtë deri tek kutia e votimit, megjithatë, edhe me këtë shtim një numër i konsiderueshëm i banorëve të kësaj komune, kanë mbetur të pakënaqur, sepse ata kanë pritur hapjen e më shumë qendrave të votimit, kur dihet se kjo komunë përbëhet nga rreth 40 vendbanime, kryesisht rurale.
Sido që të jetë, votimi në këtë komunë ka ecur mirë, pa asnjë vështirësi dhe me një atmosferë festive. Por, mënyra e komplikuar e votimit, sidomos për shtresat më pak të arsimuara dhe për personat e moshuar, ka marrë shumë kohë, madje edhe deri në 25 minuta për një votues. Mirëpo, kompensimin e kohës e kanë bërë votuesit, të cilët kanë pasur mjaftë njohuri për procesin dhe janë përgatitur me kohë që sa më shpejtë ta përfundojnë votimin. Këta persona për vetëm tre minuta e kanë kryer krejt procesin.
Mangësitë që janë vënë re në komunën e Sharrit kanë qenë jashtë përgjegjësive të KQZ-së. E para ishte avashllëku i përgjegjësve për pastrimin e rrugëve nga bora, të cilët gjatë tërë ditës nuk janë dukur nëpër rrugët e kësaj komune, edhe pse sipas kontratës ata është dashur që të intervenonin nëpër rrugët përplot me ngrica.
Avashllëku i dytë është vërejtur në KEK, i cili i ka befasuar të gjithë, kur një orë para skadimit të votimit është ndërprerë energjia elektrike, edhe pse premtimi ka qenë se gjatë ditës së votimit nuk do të ketë ndërprerje të rrymës. Shumë vendbanime, ku edhe kanë qenë vendvotimet, dritat u janë rikthyer në kohën kur edhe ka përfunduar koha e votimit... në orën 19:00.
Edhe pse zyrtarët nga KKZ-ja thanë se ndërprerja e energjisë elektrike nuk u ka shkaktuar probleme, në popullatë dëgjoheshin shaka të tipit më ekstrem, ku dominonte dyshimi se rryma është ndërprerë me qëllim, për të manipuluar me kutitë e votimit. /b. beqaj