Banorët e Sharrit i kthehen bletarisë


Sharr, 03 nëntor 2007 - Gazmend Tairovci, edhe pse mban emër shqiptar, ai thotë se është boshnjak, por që në radhë të parë e ndien veten kosovar. Ai ka filluar të merret me bletari para katër vjetësh, kur edhe përfundimisht ka vendosur të mbetet në Kosovë. “Kam vendosur të jetoj këtu, në fshatin tim piktoresk, sepse askund nuk do të gjej më mirë. Prandaj edhe e kam filluar këtë veprimtari, për të cilën shpresoj se do të ketë perspektivë më të madhe në të ardhmen”, tha Tairovci nga fshati goran, Zlipotok, apo Përroi i Keq, siç e quajnë në shqip.
Në një kooperim midis Drejtorisë komunale të Bujqësisë e Zhvillimit rural dhe ProCredit Bankës, të premten në Sharr u organizua ekspozita e mjaltës së prodhuar nga bletarët e kësaj komune. Në këtë ekspozitë, në ambiente të hapura, prodhimet e tyre i ekspozuan bletarë nga fshatrat e thella malore, ku dominuan ata nga treva e Gorës. Zyrtari i lartë komunal për Bujqësi, Flamur Sylejmani, tha se ideja e kësaj ekspozite është që bletarët të ndjejnë përkrahjen institucionale, në mënyrë që të kenë më shumë vullnet për të punuar. “Ata duhet ta ndjejnë se kanë një mbështetje institucionale, prandaj e kemi organizuar këtë ekspozitë. Në të ardhmen planifikojmë që t’i stimulojmë bletarët në punën e tyre, ndërkohë që këtë ekspozitë synojmë ta zgjerojmë dhe ta kthejmë në një panair tradicional me karakter më të gjerë”, tha Sylejmani. Mendim të njëjtë shprehu edhe drejtori komunal për Bujqësi dhe Zhvillim rural, Irfan Ibrahimi, në fjalën përshëndetëse të kësaj ekspozite. Ai i ka uruar bletarët për interesimin e tyre për këtë veprimtari, duke u premtuar mbështetje institucionale. “Kjo veprimtari ka perspektivë tek ne, prandaj duhet t’i përkushtohemi edhe më shumë”, tha Ibrahimi.
Ndërkaq, koordinatori i ProCredit Bankës në Sharr, Artan Laçi, para bletarëve u shpreh se kjo bankë gjithnjë do t’i mbështesë njerëzit që duan të punojnë. “Do t’i mbështesim me çdo kusht ata që janë të vetëdijshëm se fitimi arrihen vetëm me punë. Banka jonë është e interesuar ta përkrahë çdo bujk, çdo fermer, bletarë dhe të ngjashëm, me programin tonë për stimulimin e këtyre veprimtarive”, tha Laçi.
Përkundër motit të ligë që mbretëroi të premten në Sharr, prodhimet e tyre i kanë ekspozuar dhjetëra bletarë të rinj si dhe ata që këtë veprimtari e kanë trashëguar nga të parët. /b. beqaj