Probleme me rrymën në QMF të Llopushnikut


Sharr, 02 nëntor 2007 - Gati dy javë nuk kanë mundur të punojnë mjekët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Llopushnik të Opojës, për shkak se KEK-u ua ka ndërprerë rrymën. Pushim të paplanifikuar kanë pas edhe punonjësit e Zyrës së Vendit, të cilët janë të vendosur në këtë objekt shëndetësor. Drejtori komunal për Administratë të Përgjithshme dhe Pushtet Lokal, Hilmi Dauti, tha se ka intervenuar të mërkurën personalisht në zyrat e KEK-ut në Prizren, në mënyrë që t’ua lidhin rrymën “U kërkova që ta lidhin rrymën, sepse borxhi nuk na takon ne, por Drejtorisë së Shëndetësisë. Pse të pësoj administrata jonë, për sherr të njerëzve që e administrojnë shëndetësinë”, tha Dauti.
Ndërkaq, drejtori komunal i Shëndetësisë, Mynafir Beshiri, tha se nuk është as faji i tyre, por deri te kjo gjendje ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit që po bën KEK-u me faturat e tyre. “Unë kam tri fatura dhe që të tria janë në emër të këtij institucioni shëndetësorë. Deri më tash kam paguar secilën faturë, por nuk e kam ditur se ato janë me numra të ndryshëm regjistrimi, por që figuronte emri i QMF-së në Llopushnik. Së voni kemi pranuar një faturë, ku figuron se i kemi borxh KEK-ut mbi 1200 €. Kjo edhe ishte arsyeja që na ndërprenë rrymën. Tash kërkojmë që të rishikohen të gjitha faturat, për të parë se kujt i kemi paguar rrymë rregullisht”, tha Beshiri.
I kontaktuar nga gazeta, shefi i Njësisë së KEK-ut në Sharr, Ymri Skeraj, tha se nuk është kompetencë e tij që të merret me këtë çështje, por këtë e menaxhon Prizreni. “Ne nuk merremi me këtë çështje, por është Prizreni ai që jep urdhra për shkyçjen nga rrjeti të borxhlinjve”, tha Skeraj, i cili mohon të ketë ngatërruar ndonjë gjë në lidhje me faturat e QMF-së në Llopushnik. Sipas tij, ky institucion shëndetësor posedon tre njehsorë elektrik, prandaj edhe i kanë tri fatura. “Ata janë posedues të këtyre njehsorëve, sepse kur është ndërtuar objekti i ri, nuk është ç’lajmëruar njehsori i objektit të vjetër. Zaten, ky borxh është pikërisht i objektit të ri, njehsorin e të cilit që nga ndërtimi nuk e kanë regjistruar dhe borxhi është grumbulluar. Megjithatë, për hir të funksionalitetit të këtij institucioni, KEK-u i Prizrenit i ka kyçur sërish në rrjet, edhe pse borxhi ende nuk është paguar”, tha Skeraj.
Edhe drejtori i Administratës komunale, Hilmi Dauti, e pranon se faji qëndron tek Drejtoria e Shëndetësisë, e cila nuk i ka qartësuar gjërat, që kur e kanë ndërtuar objektin e ri të QMF-së në Llopushnik. Sipas tij, edhe pse ndërtesa e vjetër e këtij objekti nuk shfrytëzohet, njehsori elektrik ka mbetur i regjistruar. “Sido që të jetë, u desh të intervenoj personalisht në KEK që ta kyçin rrymën, e pastaj të gjendet një zgjidhje, sepse dy javë nuk është punuar në këtë objekt, ku edhe janë punëtorët e Zyrës së Vendit”, tha Dauti. /b. beqaj