LDD-ja hapi fushatën parazgjedhore në Sharr


Sharr, 03 nëntor 2007 - Pesëdhjetë deri në gjashtëdhjetë euro do të jetë stimulimi për fermerët, blegtorët dhe bujqit e Sharrit, nëse Lidhja Demokratike e Dardanisë del fituese në zgjedhjet e 17 nëntorit. Këto ishin premtimet konkrete që i dha të premten në Sharr kandidati për kryetar komune nga LDD-ja, Vahidin Halili, në hapjen e fushatës parazgjedhore të kësaj partie. Ai ka qenë i prerë edhe në një premtim, i cili ka nxitur duartrokitje frenetike në sallën e Shtëpisë së kulturës në Sharr. “Nëse një qytetar nuk do të arrij ta marr një dokument që kërkon nga administrata komunale, brenda 15 minutave, unë do të jap dorëheqje nga posti i kryetarit”, tha Halili, duke shtuar se nuk wshtw kundër buxhetit, por është kundër shtimit të buxhetit përmes plaçkës nga qytetarët. Halili premtoi se do ta heq edhe taksën komunale për regjistrimin e automjeteve, me të cilën pushteti aktual e ka ngarkuar qytetarin e kësaj komune para ca muajsh si dhe shfuqizimin e një “tradite” që ka aplikuar deri më tani KK-ja, me rastin e nxjerrjes së dokumenteve personale, kur ai është kushtëzuar paraprakisht me pagimin e taksës mbi pronën. “Programi jonë parasheh forma të tjera, në mënyrë që qytetari ta paguaj taksën mbi pronën, por nuk do të jetë kushtëzim”, tha Halili.
Të pranishëm në këtë promovim të kandidatëve për këshilltarë komunalë nga radhët e LDD-së, nga Prizreni kishin ardhur drejtues të kësaj partie, e që të gjithë u prezantuan para publikut se “i kanë rrënjët nga Opoja.
Oferta e kësaj partie për stimulimin e fushave kryesore ekonomike – 60 euro për atë që ruan 10 dele, 60 euro për atë që ruan një lopë, 50 litra naftë për hektarë, si dhe heqja e disa taksave dhe kushtëzimeve, ishte oferta më konkrete që kanë dëgjuar qytetarët e Sharrit deri më sot. Ky konstatim doli nga vetë kreu i kësaj partie në Sharr, Vahidin Halili, i cili u betua se do t’i realizojë të gjitha, ndërkohë që paraprakisht i ka ftuar “përfituesit” e këtyre stimulimeve që t’i drejtohen komunës, në qershor të vitit të ardhshëm. Por, kusht i vetëm, sipas Halilit, është që LDD-ja të vijë në pushtet. /b. beqaj