LPK-ja në Sharr i bojkoton zgjedhjet


Sharr, 31 tetor 2007 - Ndonëse Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) do të garoj në zgjedhjet e 17 nëntorit, në kuadër të listës së PDK-së, Këshilli i Rrethit i kësaj partie në Sharr ka dalë me qëndrimin se këto zgjedhje duhet bojkotuar. Kreu i LPK-së në Sharr, Demir Reshiti, tha se këto zgjedhje nuk po zhvillohen në kohën e duhur, prandaj duhet bojkotuar. “Nuk jemi kundër zgjedhjeve, por kundër kohës kurë po mbahen ato. Qëndrimi jonë është që zgjedhjet duhej të mbaheshin pas përcaktimit të statusit të Kosovës dhe se pikërisht për ta zvarritur statusin ato po organizohen tani”, tha Reshiti, sipas të cilit, çdokush që del në këto zgjedhje pajtohet me vazhdimin e status quos. “Të votosh në këto zgjedhje është pranim i rezolutës 1244 dhe i Pakos së Ahtisaarit. Është pranim indirekt edhe i ndonjë marrëveshje të fshehtë që ka mundur ta pranojë Ekipi jonë negociator, të cilin nuk po e pengojnë fare dokumentet dhe legjislacionet që, de jure dhe de facto, e lidhin Kosovën pas qerres së Serbisë”, konstaton Reshiti. Sipas tij, ata që po e kërkojnë votën e popullit, fare nuk e kanë hallin se Kosovën e kanë lënë dhe po vazhdojnë ta lënë nën juridiksionin e 1244-shit dhe të Pakos së Ahtisarit, por e kanë hallin se si ta mashtrojnë edhe njëherë elektoratin, ndërkohë që veprojnë për t’i eliminuar nga skena publike të gjithë ata që e thonë të vërtetën për absurdin e këtyre zgjedhjeve. “Është e domosdoshme bojkotimi i këtyre zgjedhjeve, të cilat na shpijnë drejtë rrjetës së merimangës që i është thurur Kosovës, duke i votuar ata që i kanë pranuar këto rrjeta dhe që, si shpërblim, kërkojnë sërish votën e popullit. Dalja në këto zgjedhje është vetëvrasje politike dhe kombëtare për popullin e Kosovës”, konstaton kreu i LPK-së në Sharr, Demir Reshiti, i cili ka pranuar se pesë kandidatët e LPK-së në krye me Emrush Xhemajlin, kanë gabuar që janë futur në listën zgjedhore të PDK-së.
“Xhemajli dhe të tjerët kanë gabuar rëndë që janë futur në listën e PDK-së”, ka thënë Reshiti, duke paralajmëruar edhe tubime antizgjedhore në Sharr. /b. beqaj