Djathi i Sharrit ende mbetet më i miri


Sharr, 30 tetor 2007 - Djathi i Sharrit është vlerësuar edhe njëherë si prodhim më ekologjik dhe i pazëvendësueshëm në panairin e Prizrenit, në të cilin prodhimet e tyre nga qumështi i kanë plasuar kooperativat dhe fermerët individual nga rajoni i Prizrenit, në sheshin kryesor të këtij qyteti “Shatërvan”.
Organizuar nga shoqata gjermane “GTZ” dhe i përkrahur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural (MBPZHR), panairi i Prizrenit ka nxjerrë si rezultat se djathi i Sharrit edhe më tej mbetët në krye të listës për nga cilësia e këtij produkti ushqimor. Nijazi Tërshnjaku, drejtor i ndërmarrjes “Sharrprodhimi”, të cilën AKM-ja po tenton disa herë që ta shesë, tha se ndihet krenar që kjo ndërmarrje po e mban primatin edhe më tej për djathë më cilësorë. “Çmimi i parë që na u dha në këtë panair, na shton vullnetin që të punojmë edhe më shumë, përkundër vështirësive që kemi në ndërmarrje. Kjo dëshmon se produkti jonë primar ende ka vlerën e dikurshme”, tha Tërshnjaku.
Përpos çmimit të parë që iu nda “Sharrprodhimit”, edhe fermerët tjerë të kësaj ane u vlerësuan për punën e tyre. Kooperativa “Sharri” nga Bellobradi i Opojës, me pronar Hafiz Rifaj, e ndau çmimin e parë me “ABI”-n nga Prizreni për djathin më të mirë nga qumështi i lopëve, ndërsa fermeri individual Senifer Bale nga Restelica e Gorës mori çmimin e tretë për djathë delesh.
I mbështetur financiarisht nga ProCredit Banka, panairi i zhvilluar në ambiente të hapura, ka nxitur fermerët që të mburren me punën e tyre dhe të punojnë më shumë, në mënyrë që vitin e ardhshëm të jenë më të fortë në konkurrim. /b. beqaj