Vrasje në tentativë në Gorë të Sharrit


Sharr - Pajazita Toro nga fshati Krushevë e Gorës, e lindur më 1986, është shtruar në spital me plagë të rënda, të cilat ia ka sakatuar bashkëshorti i saj, Nexhat Rysheni nga fshati Bresanë e Opojës. Policia ka njoftuar të enjten se gjatë aksionit që ka ndërmarrë, ka arritur të arrestoj tre persona të involvuar në ngjarjen, e cila ka ndodhur mbrëmjen e së martës, rreth mesnatës, në familjen Toro, në Krushevë të Gorës së Sharrit “Një banor shqiptar nga fshati Bresanë e Opojës ka plagosur gruan e tij nga rajoni i Gorës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima, pas ndihmës së parë mjekësore që i është ofruar në Shtëpinë e Shëndetit në Sharr, është transferuar në Spitalin Rajonal në Prizren. I dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes, mirëpo, me një angazhim të shtuar të policisë nga Sharri, është bërë arrestimi i tij në fshatin Zlipotok të Gorës. Policia ka sekuestruar edhe armën, me të cilën dyshohet se është kryer krimi”, thuhet në komunikatën e policisë rajonale në Prizren.
Zëdhënësi i kësaj policie, Hazir Berisha, tha se qifti i ri bashkëshortor ishte ndarë dhe se procedura gjyqësore për ndarje ishte iniciuar vetëm një ditë më parë “Policia, pos dhëndrit, ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm kur është kryer vepra. Në konsultim me prokurorin, tre të dyshuarit po mbahen në paraburgim”, kumtoi Berisha.
Nga burimet okulare mësohet se qifti i ri kishte jetuar në bashkëshortësi plotë tri vjet, mirëpo Pajazita ka vendosur të ndahej. Dhëndri, Nexhat Rysheni, nga Bresana e Opojës, ka shkuar në shtëpinë e Pajazites, për të gjetur zgjidhje, mirëpo pas pak dëgjohen të shtëna armesh, me ç’rast me tre plumba është goditur viktima. Sipas burimeve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Sharr, Pajazita, të martën rreth mesnatës, është sjellë në spital në një gjendje të rëndë shëndetësore. Pas dhënies së ndihmës së parë, ajo me urgjencë është dërguar në spitalin e Prizrenit. Ndërkaq, bëhet e ditur se jeta e Pajazites është në rrezik, prandaj ajo është dërguar për kurim në spitalin e Prishtinës. /b. beqaj