Njëzetë të rinj nga rajoni i Prizrenit përfunduan kampingun në bjeshkët e Sharrit


Sharr - Gjatë kampingut që ka organizuar Qendra Rinore “Fisnikët” nga Prizreni, me qëllim të ushtrimit të të rinjve për gjeturinë e tyre në raste emergjente, një javë rresht kanë qëndruar në bjeshkët e fshatit Brod të Gorës, njëzet të rinj nga rajoni i Prizrenit. Isuf Halimi, drejtor i kësaj organizate, tha se këtë aktivitet e organizojnë në çdo tre muaj, ndërkohë që ky terren është përzgjedhur, sepse është i shkëputur nga bota. “Është ky vendi më i përshtatshëm për trajnimin e të rinjve në gjeturinë e tyre gjatë katastrofave të mundshme. Gjatë një jave ata mësuan dhënien e Ndihmës së Parë në kushte të jashtëzakonshme, orientimin në natyrë, vendosjen e tendave dhe çmontimin e tyre, si dhe përgatitjen e ushqimit”, tha Halimi.
Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) i kanë ushtruar këta të rinj për orientim në natyrë dhe montimin e çmontimin e tendave, ndërkohë që në fundjavë ata kanë demonstruar përgatitjen e ushqimit, në rrethana të jashtëzakonshme. Albulena Krasniqi, njëra nga vajzat pjesëmarrëse në këtë kamping, tha se ushqimi që kishte përgatitur me shoqet, ishte i shijshëm, por se kishin harruar ta kriposnin “Sa mirë e kishim përgatit drekën, por kishim harruar t’i qitnim kripë. Megjithatë, herën tjetër kjo nuk do të ndodhë. Me rëndësi është që ne po mësohemi se si të mbijetojmë në rrethana të jashtëzakonshme, si dhe po njoftohemi me të rinj nga vise të ndryshme”, tha Albulena Krasniqi.
Për ta pasur kampingun më të sigurt, Shoqata e Gjahtarëve nga Sharri “Kaprolli” këtyre të rinjve u ka lëshuar edhe shtëpizën që kanë në këto bjeshkë, e cila dikur u ka shërbyer edhe funksionarëve më të lartë jugosllav për kamping intim. /b. beqaj