Përfundoi në Sharr Turniri “Kupa e Legjendarit”


Sharr, 06 mars 2008 - Në një ambient të bukur pranveror, edhe pse sipas kalendarit ende është dimër, 28 ekipe futbolli nga komuna e Sharrit i kanë përfunduar garat në futboll të vogël, në kuadër të turnirit tradicional “Kupa e Legjendarit”, i cili organizohet për të tetën herë me radhë nga Rinia Demokratike e Sharrit.
Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua të mërkurën në stadiumin e shkollës fillore “Nezim Berati” në Sharr, ekipi i fabrikës së mishit “Meka” nga Plava, ka arritur ta sfidoj ekipin e fshatit Pllajnik, pas ekzekutimit të penalltive. Ndryshe, Pllajniku ka qenë bartës i kësaj kupe nga viti i kaluar, por që në ndeshjen e sotme sikur nuk ka dhënë maksimumin që pritej.
Edhe këtë vit turniri u zhvillua pa pjesëmarrjen e goranëve. Arben Muhameti, kryetar i degës së Rinisë Demokratike në Sharr, i tha “Lajmit” se këtë vit shumëçka ka ndryshuar në aktivitetin e tyre tradicional, por as kësaj radhe nuk u përfshinë goranët, ndonëse ftesa ka qenë e hapur. “Fillimisht statusi i Kosovës, ku për herë të parë i zhvillojmë garat në shtetin e pavarur... Përkrahja që kemi pasur nga pushteti lokal si kurrë më parë, deri tek moti i mirë që po mbretëron këto ditë, janë të mirat që na sjell ky vit, për dallim nga vitet e kaluara. E vetmja gjë që ka mbetur me të vjetrën është refuzimi i ekipeve gorane në këtë turnir, e që shpresojmë se vitin e ardhshëm edhe kjo do të bëhet”, tha Muhameti, i cili, megjithatë, kërkoi që ky organizim të kaloj nën kompetencat e Drejtorisë së Sportit... dhe jo të mbetet barrë e tyre. “Shpresoj që vitin e ardhshëm ta merr Drejtoria e Sportit këtë organizim, sepse ne jemi lodhur dhe nuk do të mund ta vazhdojmë në të ardhmen”, tha Muhameti. /b. beqaj