Kryqi i Kuq ndanë dru për pleqtë e vetmuar


Sharr, 23 janar 2008 - Kryqi i Kuq Komunal në Sharr u ka dalë në ndihmë të moshuarve, të cilët janë të vetmuar dhe pa përkujdesje nga familjarët. Me nga dy metër dru për djegie, Kryqi i Kuq Komunal u ka dalë në ndihmë të moshuarve, të cilët jetojnë të vetmuar dhe që nuk kanë pasur mundësi ta sigurojnë këtë lëndë djegëse. Jeton Ramadani, sekretar i Kryqit të Kuq në Sharr, tha se ideja për një ndihmë të këtij lloji ka ardhur, pasi në këtë institucion ka pasur shumë kërkesa për një ndihmë të tillë "Kur dihet se tek ne mbretërojnë dimrat e gjatë, kemi vendosur që së paku kësaj shtrese të popullatës t'i dalim në ndihmë në këtë formë. Janë gjithsejtë katër pleqë mbi moshën 80-vjeçare dhe pa përkujdesjen e askujt, të cilëve u kemi ndihmuar që t'ua zbusim telashet gjatë dimrit", tha Ramadani.
Sipas Ramadanit, tre përfitues janë nga treva e Opojës dhe një nga treva e Gorës, të cilëve ua kanë dërguar drutë deri në shtëpi.
Më herët, Kryqi i Kuq Komunal i ka ndihmuar kësaj shtrese të popullatës me gjëra ushqimore, ndërkohë që për varfnjakët, kjo organizatë ka ndarë edhe veshmbathje të përdoruara, por që, sipas Ramadanit, janë mjaftë kualitative që janë dhuruar nga Kryqi i Kuq i Suedisë. /b. beqaj