Komuna s’ka pare për t’ia paguar telefonin KKZ-së


Sharr, 23 dhjetor 2007 - Pasi janë grumbulluar 260 euro shpenzime telefoni, për dy muaj punë që ka bërë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Sharr, ata kanë ra në hall se si t’i paguajnë këto shpenzime, në mënyrë që mos të mbeten pa telefon. Zyrtarët nga KKZ-ja thonë se kryeshefi i ekzekutivit komunal ua ka pranuar këtë shumë dhe se përgjegjësit financiar nga komuna pritej që t’i derdhin mjetet, por këta të fundit nuk po e bëjnë këtë. “Përgjegjësit për financa në KK na thonë se komuna s’ka pare mi paguar këto fatura, të cilat, fundi i fundit, nuk janë edhe aq të larta, krahasuar me punën që kemi bërë. Për dy muaj ne kemi kontaktuar me 1200 anëtarë të Komisioneve Zgjedhore, dhjetë partitë politike nga komuna jonë dhe me qendrën tonë në Prishtinë. Të gjitha punët që kanë qenë në përgjegjësinë tonë i kemi kryer me sukses, prandaj na habit fakti që maltretohemi për këtë shumë simbolike”, tha për “Lajm” Haxhi Berisha, zyrtar ekzekutiv i KKZ-së në Sharr, duke fajësuar për këtë neglizhencë përgjegjësin komunal për financa, Ahmet Bahtiarin.
I kontaktuar nga gazeta, ky i fundit thotë se asnjë problem nuk ekziston në këtë çështje, por se mungesa e mjeteve dhe disa urdhëresa, në lidhje me çështjet financiare, kanë bërë që kjo çështje të bëhet temë për diskutim. “Ne nuk kemi kontestuar shumën apo edhe raportet në relacionin Komunë-KKZ, por u kemi thënë se mungojnë mjetet për këtë destinacion. Është edhe pengesa tjetër, e cila na i ndalon veprimet që kanë të bëjnë me financa, në këtë periudhë kur priten ndryshime në pushtet”, tha Ahmet Bahtiari, për të shtuar se kjo pagesë do të bëhet, me gjasë, vitin e ardhshëm fiskal. “Me siguri se faturat e tyre duhet të presin vitin 2008, sepse këtë vit çdo gjë ka marrë fund, sa i përket destinimit të mjeteve financiare”, thotë Bahtiari.
Sido që të jetë, zgjedhjet që sapo përfunduan, e që në këtë komunë sollën befasi dhe rezultate të papritura, si duket do të pasohen edhe me probleme të tjera financiare, ku shumica e vëzhguesve që janë emëruar nga partitë politike, ankohen se nuk u janë paguar honorarët e premtuara. /b. beqaj