Në Sharr PDK-ja del e para


Sharr, 19 nëntor 2007 - Rezultatet preliminare nxjerrin Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të jetë e para në komunën e Sharrit, por jo edhe fituese. Sipas këtyre rezultateve, nga gjithsejtë 11705 vota të vlefshme për Kuvendin Komunal, PDK-ja ka fituar 4026, e pasuar nga LDK-ja me 3101 dhe koalicioni boshnjak “Vakat” me 1411 vota. Partitë tjera kanë fituar dukshëm më pak se këto tri partitë më të forta në këtë komunë.
Pasqyrë e njëjtë duket edhe në votat për kryetar komune, ku PDK-ja, e cila ka vënë për kandidat kreun e degës, Salim Jenuzin, ka fituar 4319 vota, pasuar nga LDK-ja e cila për kandidat ka kryetarin aktual të KK-së, Halim Shemsidini, për të cilin kanë votuar 3497 votues. Partitë tjera kanë fituar dukshëm më pak, e që janë përjashtuar nga gara e mëtutjeshme. Sipas këtyre rezultateve, Halim Shemsidini duhet të garojë në raundin e dytë me kreun e degës së PDK-së, Salim Jenuzin, por si kandidatë i dytë.
Vlenë të theksohet se edhe në mesin e goranëve ka pasur një konkurrencë të madhe, krahasuar me numrin e banorëve që ka kjo trevë e Sharrit. Nga territori i Gorës në këto zgjedhje kanë konkurruar tri subjekte, ku më e forta, me një mijë e 411 vota, ka rezultuar të jetë koalicioni “Vakat”, pjesë e së cilës është ministri aktual i Shëndetësisë, Sadik Idrizi. Iniciativa qytetare e Gorës (GIG) ka dalë e dyta me 938 vota, ndërsa Partia për Aksion Demokratik (SDA) e Numan Baliqit ka fituar 500 vota. Nga subjektet gorane, e vetmja që ka konkurruar për kryetar komune ka qenë “Vakati”, e që kandidati i saj, Usmen Ballxhi, ka fituar 1751 vota.
Ndryshe, sipas të dhënave nga KKZ-ja, këto rezultate mund të ndryshojnë kur të arrijnë rezultatet përfundimtare, por jo edhe aq sa ta ndryshojnë këtë përqindje. /b. beqaj