Një Maji në Sharr, si çdo ditë tjetër


Sharr - Dikur kryeqendra e Kosovës, në ditën e Një Majit, Sharri tani është më i heshtur se çdo qytet tjetër në këtë datë. Të martën, qyteza ishte krejtësisht e zbrazur nga njerëzit. Nuk kishte si më parë manifestim madhështor kulturo-sportiv, ku veçoheshin garat e pehlivanëve me pjesëmarrës nga të gjitha vendet e Ballkanit, të cilët shkathtësitë e tyre i demonstronin para publikut të këtushëm. Pos kësaj, në këtë ditë organizohej gara në vrapimin e kuajve, vallëzim me curle dhe lodra opojane.
Sikur t’i thuhej dikujt para ca dekadave se ky manifestim do të shuhej në Sharr, do të konsideronte si të krisur. Pushteti komunal, i përkrahur nga presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, është munduar ta rikthej këtë manifestim, por jo sot... Një manifestim i ngjashëm organizohet në ditën e çlirimit, më 15 qershor. Megjithatë, ky manifestim i ngjason një kopjeje të asaj që organizohej me Një Maj. Në ditën e çlirimit organizohet gara e pehlivanëve, por ajo nuk është aq e bujshme, sa dikur. Në vend të garës së vrapimit të kuajve, tani organizohet ekspozita e qenit të Sharrit. I pyetur për rëndësinë e këtij manifestimi, plaku mbi tetëdhjetëvjeçar, Xhafer Bojaxhiu, thotë se manifestimi i Një Majit, ishte gjithçka për gjeneratën e tij “Zoti i vraftë ata që na e ndërprenë këtë manifestim. Një Maji ishte ditë e shenjtë për në”, thotë Bojaxhiu, i cili falënderon rikthimin e garës së pehlivanëve në ditën e çlirimit. Falë kësaj tradite, Opoja në gjirin e saj kultivonte shumë pehlivanë, ku veçoheshin Bajram Piraj, Hysni Bojaxhiu e shumë të tjerë. / b. beqaj