Sharr - Ndonëse varfëria në komunën e Sharrit po vjen duke u rritur, numri i familjeve që gëzojnë asistencë sociale vjen duku u zvogëluar. Shkak për këtë, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Sharr, Ibrahim Gashi, janë kriteret gjithnjë e më të rrepta dhe kontrolli më i shtuar nëpër familje.

Gjatë kontrollit, QPS-ja ka mësuar edhe një anomali tek minoriteti nga Gora, të cilët gëzojnë të ardhura personale nga Serbia, në emër të punësimit që kishin para lufte “Ndonëse është vështirë të verifikohet, punëtorët tanë kanë mësuar se shumica e goranëve që punonin dikur në administratën publike në Sharr dhe ish-punëtorët e ‘Drateksit’ të dikurshëm, ende marrin paga nga Serbia. Kjo mjafton që ta humbin të drejtën e asistencës sociale”, sqaron Gashi.
Sipas statistikave të QPS-së, nga 524 familje që kanë marrë ndihmë sociale në muajin mars, në prill do të marrin 431 sosh “Arsyeja e rënies së numrit të familjeve që gëzojnë këtë asistencë, është kontrolli i shtuar që po u bëhet këtyre familjeve, ku në disa raste rezulton se dikush nga familjarët, ndonëse jo me letra, punon dhe fiton të ardhura, më shumë se vlera e asistencës, e që është njëri nga kriteret për t’u hequr nga lista”, tha Gashi. /b. beqaj
