Sharr - Kreu i pensionistëve të Sharrit, Garip Krasniqi, ankohet se në institucionet shëndetësore të kësaj komune paguajnë participim, përkundër ligjit që ata i liron nga kjo ngarkesë financiare. Sipas tij, pensionistët e Sharrit nëpër institucionet më të mëdha shëndetësore paguajnë participim si çdo qytetar tjetër, ndërkohë që në fundjavë dhe në ndërrimin e natës paguajnë më shumë së vlera e participimit “Shumë pensionistë na janë ankuar se institucionet shëndetësore po u kërkojnë participim, bile edhe më shumë se vlera e këtij
haraçi, gjatë ndërrimit të natës dhe vikendeve. Personalisht kam kërkuar nga institucionet komunale të shëndetësisë sqarim për këtë dukuri, që është e vetmja në vend, por ata janë arsyetuar se u duhen mjete për mbulesën e ndërrimit të natës dhe për shpenzime të tjera. Kjo nuk është e drejtë, ata duhet të ankohen në ministrinë e tyre për këtë mungesë të mjeteve financiare dhe jo të na rrjepin ne, shtresën më të varfër të shoqërisë”, tha Krasniqi.I kontaktuar për të sqaruar ankesën e pensionistëve, drejtori i QKMF-së në Sharr, Raif Shala, tha se nuk qëndrojnë ankesat që vijnë nga pensionistët. Ai madje ofroi në shikim urdhëresën administrative, e cila i liron nga kjo taksë qytetarët mbi moshën 65-vjeçare “Sipas kësaj urdhërese, çdo qytetar mbi moshën 65-vjeçare lirohet nga participimi. Ne e zbatojmë këtë në përpikëri. Pse dikush është më i ri se 65 vjet dhe është pensionist, ai nuk mund ta gëzoj këtë privilegj. Por, edhe kur nuk është pensionist, por që ka më shumë se 65 vjet, ai e gëzon lirimin nga participimi”, tha Shala.
Kryetari i Organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Sharr, Garip Krasniqi, pasi ka siguruar lokacionin e organizatës, ankohet se i mungon inventari, por që shumë shpejtë thotë se do ta zgjidh këtë problem. Sipas tij, në Komunën e Sharrit aktualisht ka rreth 3 mijë pensionistë, për të cilët kujdesët vetëm organizata që drejton ai. /b. beqaj
