Sharr - Kundërshtarët e shitjes së tokave bujqësore, që i ka në pronësi ndërmarrja bujqësore “Sharrproshimi” në Sharr, me të drejtë janë gëzuar që ndërmarrja i shpëtoi valës së 23-të. Ata shpresojnë se do të kenë kohë për të shpëtuar, qoftë edhe një pëllëmbë të vetme të tokës bujqësore në shitje. Mirëpo, drejtori i “Sharrprodhimit”, i zgjedhur nga AKM-ja, Nijazi Tërshnjaku, tha se heqja e ndërmarrjes nga raundi i 23-të i shitjes, nuk do të ndryshoj asgjë.
Sipas tij, tërheqja nga vala e 23-të, për të dalë në valën e 25-të, është bërë për shkaqe teknike “Heqja e ndërmarrjes nga vala e 23-të, nuk ka të bëj fare me ndonjë kontestim, por disa shkaqe teknike kanë kërkuar më shumë kohë për kalimin e pronësisë në duart private. Një blerës serioz nga Gjermania ka kërkuar të dijë saktësisht sipërfaqet e tokave dhe stallave që do të blej, prandaj shitja e ndërmarrjesh është shtyrë për raundin e 25-të, në mënyrë që të saktësohen sipërfaqet”, tha Tërshnjaku. Edhe pse drejtori Tërshnjaku thotë se blerësi nga Gjermania ka kërkuar të dijë saktësisht sipërfaqet e tokave dhe të stallave që do t’i blej, në publikimin e AKM-së sërish sipërfaqet përcaktohen me fjalën “përafërsisht” dhe jo me shifra ekzakte “Ndërmarrja e Re ‘Sharrprodhimi’, fermat në Mejdan, do të përfshijë sipërfaqen totale të përafërt me 450 hektarë tokë, duke përfshirë edhe shtatë ndërtesa, secila me sipërfaqe të përafërt rreth 1.500 metra katror”, sqarohet në tenderin e dytë të AKM-së.Kundërshtarët e shitjes së tokave bujqësore thonë se shtyrja e afatit i gëzon, për faktin se do të kenë më shumë kohë për ta kontestuar shitjen në forma institucionale, duke menduar se vetë shtyrja është pasojë e presionit të tyre “AKM-ja e ka shtyrë afatin e shitjes, sepse ka shumë kundërshtime nga fermerët, por edhe nga vet banorët, të cilëve u merren tokat para shtëpisë së tyre. Njëherësh, shtyrja ka ndodhur edhe për faktin se vet drejtuesit e ndërmarrjes, nuk kanë mundur t’i definojnë saktësisht sipërfaqet në shitje”, tha Hafiz Rifaj, drejtor i Kooperativës Bujqësore “Sharri” në Bellobrad, njëherësh edhe kryetar i këtij vendbanimi. Rifaj ka apeluar tek blerësit që mos të aplikojnë, sepse do të vij deri te shpërngulja e fshatarëve “Nëse na shiten këto toka, banorët s’kanë se pse të rrinë më në fshat. Pikërisht tokat bujqësore na lidhin për këtë vend”, tha Rifaj.
Sipas të dhënave nga oferta e AKM-së, afati i fundit për parakualifikim është më 16 maj të këtij viti, ndërkaq ofertat do të dorëzohen më 23 maj. /b. beqaj
