Sharr - Kryesia e Degës dhe ajo e FR të LDD-së, të enjten në Sharr kanë analizuar aktivitetet e gjertanishme të këtij subjekti më të ri politik dhe ka njoftuar opinionin për rrjedhat e përgjithshme në këtë

degë dhe për aktivitetet e këtij subjekti në nivelin qendror. Kryetari i degës, Vahidin Halili ka konstatuar se, pas publikimit të Pakos së Ahtisarit, hetohet neglizhencë e theksuar në administratën lokale “Siç po shihet, pasi Ahtisari publikoi pakon e tij, pushtetarët kanë rënë në gjumë dhe nuk merren më me standardet, si proces i rëndësishëm në këtë komunë me dy popuj të ndryshëm”, tha Halili, duke prekur disa dobësi dhe shkelje ligjesh nga ana Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, rreth mos angazhimit për regjistrimin e të gjitha bizneseve afariste “Në komunën tonë janë të regjistruara vetëm 326 biznese, nga rreth një mijë, sa vlerësohet të këtë gjithsejtë”, tha kreu i LDD-së në Sharr, i cili pati edhe vërejtje në adresë të Drejtorisë së Shëndetësisë, për të cilën tha se nuk po angazhohet për furnizim me barna esencialë, pagesën e disa punëtorëve nga participimi, duplifikimin e vendeve të punës, si dhe mosregjistrimin e ambulancave private. Ndërkaq, nënkryetari i degës, Qamil Kolloni ka folur për strategjinë e partisë, për të cilën tha se nuk do të veproj për interesa partiake, por vetëm për drejtësi dhe respektim të legjislacionit në vend “LDD-ja do të angazhohet për respektimin e përpiktë të ligjeve, afirmimin e vlerave të mirëfillta kudo që janë ato, e jo vetëm në kërkimin e pikave të errëta”, tha Kolloni, i cili ka apostrofuar se ky subjekt, parimisht do të përjashtoj çdo koalicion, siç tha, me çdo kusht. /
b. beqaj