Gjendet plaku, i zhdukur para pesë ditësh


Brezne - Pas pesë ditësh kërkimi nga SHPK-ja, të cilët nga ajri kanë qenë të ndihmuar edhe nga helikopterët e KFOR-it, të hënën pasdite fshatarët e Breznës së Sharrit kanë arritur ta gjejnë gjallë dhe shëndoshë plakun e humbur, Rizan Sabri Krasniqi (74), në vendin e quajtur “Lugu i Keq”. Policia rajonale në Prizren njoftoi të martën për gjetjen e plakut, i cili kishte humbur më 12 prill “Plaku 74-vjeçar nga Brezna, Rizan Sabri Krasniqi, i cili ishte larguar nga shtëpia më 12 prill, pas kërkimeve intensive të familjarëve dhe njësiteve të shumta të policisë, është gjetur afër brezit kufitar me Shqipërinë”, thuhet në raportin e policisë. Plaku menjëherë është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Sharr dhe, sipas mjekëve, shëndeti i tij është i mirë. /b. beqaj