Futbollist i mirë, por pa ekip !


Sharr - I riu, Arianit Gashi, i lindur në vitin 1988, për herë të parë luan ndeshje të rëndësishme futbolli në garat midis klasave të shkollës fillore. Suksesin më të madh e arrin në disa ndeshje finale që organizonte shkolla e tij “Nezim Berati” në Sharr, kur edhe ngadhënjen. Më pas ai me ekipin e tij ngadhënjen edhe në finalet midis klasave, në shkollën e mesme “Ruzhdi Berisha” të Sharrit. Me Arianitin, shokët e klasës zënë vendin e parë në dy shkollat. Ai vazhdon aktivitetin e një futbollisti të shquar në ekipin e fshatit të tij të lindjes, në KF “Liqeni”, i cili garonte në ligën e dytë të Kosovës. Ky klub shijon progres, kur Arianiti bëhet anëtar i tij “Kam qenë i vetmi futbollist që luaja në secilën ndeshje deri në fund. Trajneri nuk më zëvendësonte gjatë lojës, sepse më konsideronte si shtyllë të klubit”, thotë Arianiti. KF “Liqeni” nga Brezna e Opojës shuhet, pasi i mungonte mbështetja institucionale dhe nuk mundi t’i përballonte vështirësive financiare. Sipas Arianitit, Drejtoria komunale e Sharrit për Kulturë, Rini dhe Sport, asnjëherë nuk është interesuar që ta mbaj në jetë këtë klub “Për dy vjet që kam luajtur në këtë klub, asnjëherë nuk kam vërejtur interesimin e Drejtorisë së Sportit, që ne të mbetemi gjallë. Klubi u shua, pasi përfundoi stinorin vjeshtor të vitit 2004, sepse nuk arriti t’i përballonte vështirësitë financiare”, pohon Arianiti, i cili megjithatë ka ngelur futbollisti më i mirë në komunën e Sharrit, por pa ekip futbolli. Këtë e dëshmoi edhe në Turnirin “Kupa e Legjendarit” që e organizoi në mars Rinia Demokratike e Sharrit, ku u shpall futbollist më i mirë i këtij turniri “Nuk është problem që kam mbetur pa ekip, sepse e tërë komuna ka mbetur ashtu, por vështirësitë më të mëdha i kam gjatë trajnimeve. Ato i kryej në mënyrë individuale, sepse dua që ta ruaj kondicionin. Sapo ta përfundoj klasën e 12-të, do të kaloj në Prishtinë, ku e kam një ofertë nga një klub i superligës. Aty edhe do ta vazhdoj shkollimin e mëtutjeshëm”, përfundon futbollisti më i mirë nga Sharri, Arianit Gashi.
Pas luftës, në Sharr kishte mjaftë aktivitete kulturo-sportive. Në ligën e parë të Kosovës garonte KF “Opoja”, në ligën e dytë KF “Liqeni” dhe në ligën e tretë KF “Plava”. Sot, asnjëri nga këto klube nuk ekziston më. Drejtoria komunale e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, ka themeluar një Trupë Kulturo-artistike, ku e shter gjithë potencialin e saj financiar, ndërkohë që sporti ka vdekur në tërësi në këtë komunë të varfër të vendit. /b. beqaj