Verza, festë që e ruan me shekuj Opoja


Bellobrad - Blerina, nxënëse e klasës së gjashtë të fillores, fare nuk e di përse festohet 14 marsi. Ajo kënaqet duke lozur rreth zjarrit, të cilin e kanë ndezur beqarët e njërës nga lagjet e Bellobradit, në Opojë. Në dorë mban një qese të mbushur me vezë të ziera, të cilat më vonë do t’i cakërroj me shoqet e saj, për ta nxjerrë në fund vezën fituese. “Po e festoj verzën”, thotë Blerina, duke mos ditur fare se çfarë feste është kjo.
Etnomuzikologu Bahtir Sheholli, thotë se verza nuk është festë e ndonjërës nga religjionet aktuale ndër shqiptarët, por ajo ka ngelur nga paganët “Opoja është një trevë karakteristike, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në Ballkan. Në Opojë më së miri janë ruajtur elementet pagane. Nuk është vetëm verza që festohet në Opojë, por janë edhe Shingjergji, Jeremia, Shinkolli e shumë festa të tjera, të cilat me fanatizëm janë ruajtur në këto troje”, thotë Sheholli, duke shtuar se këto festa përcillen edhe me këngë karakteristike.
Nata e verzës në Opojë kremtohet në pasditen e 13 marsit. Besimtarët që kanë trashëguar këto festa nga paganizmi, besojnë në diçka, pa e ditur se cilit religjion i takojnë festat e ngjashme si verza. Beqarët ndezin zjarr të madh, dikur me dëllinja, tani edhe me goma të vjetra të automjeteve, ndërkohë që vajzat hedhin valle rreth zjarrit, duke kënduar këngë të cilat trashëgohen nga brezi në brez. Sheholli tregon edhe për “skenarin” e verzës, i cili ka pësuar pak ndryshime në ditët e sotme “Natën e verzës, plaka e shtëpisë gatuan flinë, specialitet ky që edhe në ditët tjera i servohet mysafirëve më të dashur. Në mbrëmje vajzat kthehen në shtëpi, duke kënduar këngë me tekste interesante, si ‘oj plaka e shpisë, a e qite rendin e flisë’. Ato sjellin buqeta me degë dushku, dëllinjash dhe bimë, të cilat, edhe pse të thara, i kanë rezistuar borës. I vendosin në derën e hyrjes së shtëpisë, e që besojnë se ajo buqetë sjell fat”. Sheholli thotë se këto doke bëhen, duke besuar që ato sjellin pjellshmëri, si tek njerëzimi ashtu edhe tek bimësia. Për dallim nga viti i kaluar, kur verza nuk u festua bujshëm, për shkak të borës së madhe, sivjet moti i mirë mundësoi që në këtë festë të zhvillohen shumë aktivitete dhe shëtitje nga të rinjtë. /b. beqaj