Shkruan: Beqir BEQAJ

Në Shkollat e Sharrit, e as në institucionet lokale të kësaj komune, 7 Marsi - Dita e Mësuesit, nuk u shënua në vija institucionale. Nga ana tjetër, 8 Marsi - Dita e gruas, është shënuar nën përkujdesjen institucionale, ku bartës të kësaj kremteje ishte Zyrtarja për Çështje Gjinore. “Asnjeri prej zyrtarëve komunalë, e as ata nga Drejtoria e Arsimit, nuk e kanë parë të arsyeshme, së paku me prezencën e tyre, të na nderojnë në ditën tonë”, pohuan mësimdhënësit e dëshpëruar. Ata iu gëzuan vetëm urimeve dhe dhuratave modeste që morën nga nxënësit e tyre.
Për ta plotësuar këtë boshllëk, mësimdhënësit janë vetorganizuar dhe në mënyrën e tyre e shënuan ditën e mësuesit.I pyetur për mungesën e një organizimi institucional për këtë ditë, kreu i ekzekutivit të Sharrit, nuk deshi të komentoj asgjë. Në vend të kësaj, ai edhe njëherë shprehu kritika ndaj raporteve të publikuara në gazetën “Lajm” e që ndërlidhen me punën e kreve të KK të Sharrit. Paradoksale, për të mos qenë qesharake. Athua vërtetë gazetari mund të shkruaj çka t’i teket, ndërkohë që mos të akuzohet për gënjeshtra apo shpifje?! Vështirë se do të besonte kush, edhe sikur të thonë pushtetarët se “po e tolerojnë gazetarin, ndryshe, ai po rrenë”.
Dhe... në vend se të flasin me gazetarin për ndonjë lëshim të mundshëm të tij, krerët komunalë edhe më shumë e nxejnë hekurin. Pa u hamendur se fjalët e tyre mund të incizohen, falë teknologjisë së përsosur, ata e mbushin edhe më tej kupën, duke iu kërcënuar gazetarit.
Shtrohet pyetja, athua organet e drejtësisë dhe sigurisë, gjithnjë duhet të presin që të ndodh e keqja, për ta zbuluar autorin e saj, gjë që rrallëherë e bëjnë, apo ndoshta më mirë do të ishte të parandaloheshin “autorët e së keqes”? Sigurisht se kjo e dyta është më se e dobishme, sepse edhe mjekët gjithnjë mundohen ta parandalojnë sëmundjen, dhe jo të shërbejnë vetëm për shërimin e saj.
Sido që të jetë, ndryshimet rrënjësore të një shoqërie, gjithnjë janë shënuar me “kurbana të majmë”. Na mbetet vetëm të shpresojmë se ne nuk do të jemi njëri nga “kurbanet”, në rrugën drejtë pavarësimit të plotë të Kosovës.
