Shpejtësia, drejtë greminës !


Sharr - Mëngjesi i së enjtes e ka gjetur këtë veturë të zhytur në greminë. Por, ndonëse ajo është shkatërruar plotësisht, nuk ka pasur viktima në njerëz. Zëdhënësja e policisë rajonale në Prizren, Hatixhe Hoxhaj, konfirmoi se ngasësi dhe një udhëtar kanë pësuar lëndime, por nuk janë në rrezik jete "Rreth mesnatës, të mërkurën kah ora 23:00, tek 'Laku i Rapçës', në magjistralen Zhur-Sharr, afër Sharrit, nga shpejtësia e madhe vozitësi i veturës 'Lancia' ka humbur kontrollin, duke rrëshqitur thellë në greminë. Ngasësi dhe bashkudhëtari i tij janë lënduar, por nuk janë në rrezik jete", tha Hoxhaj.
Sipas raportit të policisë, gjatë tri ditëve të fundit, në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 20 aksidente trafiku, ku si pasojë 14 persona janë lënduar lehtë. Ndërkaq, për mosrespektim të ligjeve të komunikacionit, janë arrestuar pesë persona. /b. beqaj