Sanda Rashkoviq u dha garanci goranëve që Kosova do të kthehet nën Serbi


Sharr - Shefja e të ashtuquajturës Qendër Bashkërenduese Serbe për Kosovën, Sanda Rashkoviq-Iviq, nën përcjelljen e SHPK-së, të enjten ka qëndruar në Gorë. Ajo është ndalur në fshatin Glloboçicë, i cili kohët e fundit, me hapjen e një shkolle paralele serbe, është bërë oazë serbe në komunën e Sharrit. Qytetarëve të këtij lokaliteti, Rashkoviq iu “dha garanci” se Rusia dhe Kina do ta përdorin veton në Këshillin e Sigurimit (KS). “Kam marrë pjesë në shumë takime në qendrat më të mëdha botërore të vendosjes, ku kam marrë garanci të fortë nga Moska dhe Pekini, se do ta përdorin të drejtën e vetos gjatë votimit të Pakos së Ahtisarit në KS. Pos tyre, edhe shumë vende të Afrikës nuk do ta përkrahin Planin e Ahtisarit, ngase edhe ato përballen me probleme të tilla në vendet e tyre”, tha Rashkoviq, duke nënvizuar se Serbia, bashkë me Rusinë, janë duke u angazhuar që rreth statusit të Kosovës të vazhdohen bisedimet, me qëllim të gjetjes së një modusi të përshtatshëm për zgjidhjen e këtij problemi. Rashkoviq ka shtuar se, në kuadër të decentralizimit, duhet të themelohet edhe komuna e Gorës, ngase shumë qytetarë janë larguar nga kjo trevë “Ju që keni ngelë këtu, meritoni të keni një mjedis të sigurt. Këto që po ju them këtu, nuk janë fjalë boshe dhe ëndrra, por janë realitet, ngase rrota e qendrave që janë duke e përkrahur pavarësinë e Kosovës, ka filluar të rrotullohet mbrapa, duke u kthyer në favor të Serbisë”, tha Rashkoviq.
Drejtuesi i këtij takimi, nuk u lejoi mediave që vizita e saj të përcillet në tërësi. Pasi janë larguar gazetarët, Rashkoviq ka biseduar me mësimdhënësit dhe qytetarët goranë, të cilët e përkrahin praninë e Serbisë në Kosovë. /b. beqaj