Pllajniku, bartës i “Kupës së Legjendarit”


Sharr - Pas një lufte të fortë njëjavore midis ekipeve që morën pjesë në turnirin tradicional në futboll të vogël “Kupa e Legjendarit”, të hënën u luajt ndeshja finale midis ekipit të fshatit Pllajnik dhe atij nga Kosava. Ndeshja miqësore me karakter garues midis këtyre fshatrave, la të kuptohet se treva e Opojës ka shumë talentë të këtij sporti. Ndonëse tereni sportiv ishte jo aq i përshtatshëm për lojë komode, ekipet nga Pllajniku dhe Kosava ditën ta përfundojnë ndeshjen pa asnjë lëndim. Kosava, me golin e parë që shënoi Labinot Kolloni, arriti epërsinë në pjesën e parë të ndeshjes, mirëpo djelmoshat pllajnikas radhazi shënuan tri herë, duke u bërë bartës për këtë vit të “Kupës së Legjendarit”. Ky turnir u organizua nga Rinia Demokratike e Sharrit, për ta shënuar datën e rënies heroike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari. Sipas kryetarit të degës së RDK-së në Sharr, Arben Muhameti, asnjë fshat nga Gora nuk është paraqitur për pjesëmarrje në këtë turnir. Ftesa ka qenë e hapur për të gjitha ekipet pa përjashtim, mirëpo asnjë ekip futbolli nga Gora nuk është paraqitur për pjesëmarrje. Shpresojmë që në të ardhmen do të marrin pjesë edhe goranët”, tha Muhameti.
Gara sportive “Kupa e Legjendarit” në Sharr organizohet tash e shtatë vjet nga RDK-ja. Përpos garës në futboll të vogël, këtë vit u organizua edhe një manifestim kulturor, ku edhe u ndanë çmimet për më të mirët e kësaj gare. /b. beqaj