Në Glloboçicë të Gorës vepron shkolla paralele e Serbisë


Glloboçicë - Paralelja e ndarë e shkollës fillore të Krushevës së Gorës në Glloboçicë, tash e tre muaj punon me plan-programet e Ministrisë së Arsimit të Serbisë. Shkas për këtë ndarje nga sistemi arsimor i Kosovës, mësimdhënësit e konsiderojnë konkursin e shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit, për pranimin e mësimdhënësve që do të punonin me plan-programet e Kosovës. Arsimtarët e kësaj shkolle, gjithsejtë 23, para shpalljes së konkursit punonin në shkollën amë të Krushevës. Ata, jo vetëm që nuk konkurruan në konkursin e shpallur, por u ndalën në shkollën katërvjeçare të Glloboçicës dhe pavarësuan këtë shkollë, pa iu referuar institucioneve të Kosovës. “Sa herë që kemi mbajtur takime me arsimtarët dhe prindërit e komunitetit goran nga ky lokalitet, për t’i përfshirë në sistemin shkollor të vendit, gjithnjë kemi hasur në rezistencë, vetëm e vetëm për t’i ruajtur pagat e majme që marrin nga Serbia. Edhe në vitin e tetë të pasluftës, këta arsimtarë ende nuk janë të gatshëm të njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë”, tha Nasuf Brenolli, drejtor i shkollës nëntëvjeçare në Krushevë.
Edhe pse janë lëshuar dy vendime nga MASHT-i dhe një vendim nga DKA-ja, me qëllim të ndërprerjes së punës së kësaj shkolle, e tëra kjo ka qenë e kotë. Krerët e Drejtorisë së Arsimit në Sharr thonë se i kanë shterur të gjitha hapësirat ligjore për ta normalizuar situatën “Edhe pse jemi munduar t’i përdorim format më të buta dhe më demokratike, arsimtarët e këtij lokaliteti nuk janë bindur që t’i kthehen legjislacionit tonë. Në fund, të gjithë mësimdhënësit i kam denoncuar në gjykatë dhe presim epilogun. Kjo është e tëra që kam mundur të bëj si drejtor”, tha Xhemal Iljazi, drejtor i Arsimit në Sharr. Nga ana tjetër, sekretari i PDK-së në Sharr, Avni Nebiu, thotë se kjo situatë mbretëron për shkak të paaftësisë së institucioneve “Paaftësia e Ministrisë së Arsimit dhe e Drejtorisë komunale, e ka pru gjendjen në këtë shkallë. Kjo, sepse ata kanë bërë me vite kompromise jashtëligjore me persona joadekuat. Toleranca e tepërt tani po u kthehet si bumerang zyrtarëve të arsimit dhe pushtetit komunal”, tha Nebiu.
Nënkryetari i komunës nga radhët e komunitetit gorano-boshnjak, Sabedin Çufta, tha se ligjet kosovare janë legjitime, ndërkohë që veprimet e arsimtarëve janë ilegale “Unë angazhohem për respektimin e ligjeve në Kosovë, andaj përshëndes çdo vendim të MASHT-it”, tha Çufta. Ndonëse për drejtor të kësaj shkolle është zgjedhur Bejdin Demiroviq, ai nuk gjendej në vendin e punës. Disa qytetarë thanë se ai ndodhet në Beograd për konsultime me shefat e tij. /b. beqaj